E drejta për shëndet
Gratë në politikë dhe vendimmarrje
Integrimi i perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE
Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor
Problemi
Në Kosovë, gratë dhe grupet e margjinalizuara hasin pengesa të mëdha në kujdesin shëndetësor, për shkak të mungesës së fondeve, mungesës së sigurimit publik shëndetësor dhe të dhënave të kufizuara. Hendekët në shërbimet e shëndetit seksual e riprodhues, të kombinuara me norma gjinore dhe diskriminim, e kufizojnë më tej qasjen, sidomos për gratë rome, ashkali dhe egjiptiane, komunitetet rurale, personat LGBTIQ dhe ata me aftësi të kufizuara.
Strategjia e RrGK-së
Përmirësimi i qasjes dhe realizimit të të drejtave të grave dhe burrave në shërbimet shëndetësore bazuar në kornizën ligjore, i realizuar përmes:
- Rritjes së ndërgjegjësimit të grave dhe vajzave për të drejtën dhe rëndësinë e qasjes në kujdes shëndetësor;
- Inkurajimit dhe mbështetjes së grave që të avokojnë për të drejtat e tyre, veçanërisht kur këto të drejta cenohen ose kur ka diskriminim;
- Nxitjes së institucioneve për të adresuar pengesat ndaj qasjes së grave në kujdes shëndetësor.
Aktivitetet kryesore
- Mbështetja e organizatave anëtare të RrGK-së për të kryer fushata kërkimore, ndërgjegjësimi dhe avokimi, të fokusuara në të drejtat dhe qasjen në kujdes shëndetësor të grave rurale dhe të pakicave;
- Rritja e ndërgjegjësimit te gratë dhe vajzat për të drejtën e tyre ligjore për të marrë shërbime shëndetësore pa diskriminim dhe rëndësia e kujdesit shëndetësor parandalues; nevojën që më shumë gra të avokojnë për të drejtën e tyre në kujdes shëndetësor cilësor; si dhe për mbrojtjen ligjore dhe mënyrën e raportimit të shkeljeve e diskriminimit në kujdes shëndetësor;
- Avokimi te institucionet dhe organet qeveritare që të veprojnë ndaj çështjeve sistemike që pengojnë qasjen e grave në kujdes shëndetësor cilësor, përfshirë mungesën e fondeve, mungesën e sigurimit publik gjithëpërfshirës, privatizimin me mbikëqyrje të dobët, mbledhjen e dobët të të dhënave, infrastrukturën e paqasshme dhe ofrimin e shërbimeve në mënyrë diskriminuese dhe joparandaluese.
Arritjet tona
- Dorëzimi i komenteve mbi projektligje, përfshirë Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Shëndetin Riprodhues. Megjithatë, progresi mbetet i bllokuar për shkak të vonesave legjislative;
- Bashkëpunimin i vazhdueshëm me organizatat anëtare për të avancuar qasjen në shëndetësi, përmes nismave si: krijimi i një linje komunale për kujdes shëndetësor në Drenas; hapja e Qendrave të Mjekësisë Familjare në fshatrat e Rahovecit, promovimi i shëndetit dhe të drejtave riprodhuese te komunitetet e margjinalizuara në Obiliq dhe Fushë-Kosovë, si dhe trajnimi i profesionistëve shëndetësorë në Gjakovë për kujdes të ndjeshëm ndaj traumës për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore.
- U edukuan 552 gra mbi të drejtat e tyre në kujdes shëndetësor, duke arritur gjithsej 2,555 që nga fillimi i matjes;
- U mbajtën 18 takime me zyrtarë publikë për të promovuar të drejtën e grave për kujdes shëndetësor cilësor;
- U dokumentuan 32 raste të shkeljeve të të drejtave të paraqitura nga organizatat anëtare; 1 rast abuzimi çoi në masa disiplinore ndaj stafit mjekësor, duke përmirësuar llogaridhënien dhe besimin në sistemet shëndetësore.