Letër Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Download File

I nderuar Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Murati,

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që Projektligji për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 të vendoset në konsultim publik, në përputhje me Rregulloren Nr. 17/2024 e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo rregullore thekson rëndësinë e konsultimeve publike për transparencën dhe llogaridhënien, duke garantuar që qytetarët të jenë të informuar dhe të marrin pjesë aktive në procesin e vendimmarrjes për buxhetin.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë se si do të shpenzohen paratë nga taksat e tyre dhe të kontribuojnë në vendosjen e prioriteteve për shpenzimet publike, duke adresuar nevojat e ndryshme të shoqërisë. Procesi i konsultimit publik përpara miratimit të buxhetit nga Qeveria është thelbësor për të siguruar që ndarja e burimeve publike reflekton interesat e të gjithë qytetarëve, përfshirë gratë dhe burrat, si dhe për të avancuar barazinë gjinore.

Për më tepër, MFPT duhet të publikojë një Deklaratë të Buxhetit Gjinor (DBGJ) dhe shtojcat përkatëse për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. DBGJ është kyçe për të promovuar barazinë gjinore në buxhet, duke treguar qartë se si janë planifikuar të ndahen burime për të avancuar barazinë gjinore dhe për të adresuar nevojat e grave dhe vajzave. Kosova është zotuar për buxhetim të përgjegjshëm gjinor përmes Ligjit për Barazi Gjinore. Publikimi i DBGJ do të përputhej me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (OZHQ), të cilat Kosova është zotuar t’i përmbushë, si dhe me interesin e Kosovës për të zbatuar kornizat si Llogaridhënia për Shpenzimet dhe Financat Publike (PEFA), të cilat theksojnë rëndësinë e menaxhimit të financave publike të përgjegjshme gjinore (Korniza Suplementare për Vlerësimin e Menaxhimit të Financave Publike të Përgjegjshme Gjinore). Deri më sot, këto nuk janë publikuar në faqet e internetit të Qeverisë, siç kërkohet sipas treguesit OZHQ 5.c.1. Publikimi i DBGJ dhe shtojcave përkatëse do të tregonte se si buxheti ndihmon në avancimin e barazisë gjinore dhe do të siguronte qasje publike në informacion të qartë dhe gjithëpërfshirës për buxhetin.

Prandaj, RrGK kërkon nga MFPT dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të nisur procesin e konsultimit publik mbi Buxhetin Vjetor për vitin 2025, përpara miratimit të tij nga Qeveria në muajin tetor. Ky konsultim publik duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, grupet e grave dhe publikun e gjerë, për të siguruar që buxheti të pasqyrojë prioritetet dhe nevojat e të gjithë qytetarëve.

Në këtë drejtim, RrGK kërkon që Qeveria e Kosovës, veçanërisht MFPT, të:

  • nisin menjëherë një proces të konsultimit publik për Buxhetin Vjetor 2025;
  • publikojnë një Deklaratë të Buxhetit Gjinor, duke treguar qartë se si buxheti kontribuon në avancimin e barazisë gjinore; dhe
  • publikojnë online në mënyrë transparente të gjitha shtojcat e buxhetit gjinor.

Besojmë se këto masa do të kontribuojnë ndjeshëm në përmirësimin e procesit buxhetor, transparencës dhe avancimin e barazisë gjinore.

Sinqerisht,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grave të Kosovës