Letër për Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci

Download File

E nderuar Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGJ) ka për qëllim të sigurojë që fondet të buxhetohen dhe shpenzohen për të adresuar nevojat potencialisht të ndryshme të grave, burrave, djemve dhe vajzave, të identifikuara përmes analizës gjinore. Sipas Ligjit të Kosovës Nr. 05/L-020 për Barazinë Gjinore, BPGJ është i detyrueshëm për të gjitha institucionet publike. Mospërmbushja e këtij obligimi, siç përcaktohet nga ky Ligj, përbën një shkelje ligjore dhe është e dënueshme me sanksione. Për më tepër, Qeveria ka interes në zbatimin e buxhetimit gjinor në kuadër të angazhimeve të saj ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (OZHQ), konkretisht OZHQ 5, treguesi 5.c.1; Korniza Suplementare e Shpenzimeve Publike dhe Përgjegjësive Financiare për vlerësimin e menaxhimit financiar publik të përgjegjshëm gjinor dhe, më e rëndësishmja, si një praktikë më e mirë në menaxhimin financiar. Zbatimi i BPGJ-së mund të kontribuojë në shpenzimin më efektiv, më të përgjegjshëm dhe më transparent të burimeve qeveritare, duke përfshirë arritjen e barazisë gjinore.

Prandaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmes qarkores buxhetore, ka kërkuar që të gjitha organizatat buxhetore të përfshijnë një shtojcë në kërkesat e tyre për ndarjen buxhetore për vitin 2025, duke shpjeguar se si buxheti i tyre për vitin 2025 siguron BPGJ-në.

Në mënyrë të veçantë, Qeveria duhet të përfshijë zyrtarët për barazi gjinore dhe organizatat e shoqërisë civile në konsultimet publike që kanë të bëjnë me buxhetin, siç është përcaktuar nga Ligji Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në zbatimin e përgjegjësive të saj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), një rrjet prej 141 organizatash të ndryshme të të drejtave të grave, ka përgatitur këtë letër me rekomandime për përmirësimin e BPGJ-së në Ligjin për Aprovimet Buxhetore për vitin 2025. Rekomandimet bazohen në hulumtimet e RrGK-së dhe dëshmitë për nevojat drejt avancimit të barazisë gjinore në Kosovë.

Ne fuqimisht rekomandojmë që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të investojë drejtpërdrejt dhe të inkurajojë komunat të planifikojnë buxhet më të përballueshëm për krijimin e më shumë qendrave publike dhe kopshteve për kujdesin e fëmijëve. Duke vendosur objektiva konkrete dhe alokime buxhetore bazuar në vlerësime të gjithanshme të nevojave, komunat mund të adresojnë nivelet e larta të papunësisë dhe pasivitetit. RrGK ka vlerësuar se zgjerimi i opsioneve të kujdesit ndaj fëmijëve mund të krijojë afërsisht 9,899 vende të reja pune në këtë fushë. Për më tepër, kjo do t’i mundësojë më shumë grave të punojnë dhe do të përmirësohen rezultatet arsimore në përputhje me Objektivat e Barcelonës, BE.

Planifikimi i buxhetit për rritjen e disponueshmërisë së shërbimeve të përballueshme të kujdesit, veçanërisht në zonat rurale, është thelbësore për transformimin e punës së kujdestarisë së papaguar, në punësim të paguar, angazhimin e më shumë grave në tregun e punës dhe mbështetjen e një edukimi të përgjegjshëm gjinor që nga mosha e hershme.

Qeveria është zotuar për këto investime në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe tani duhet të bëhen alokimet buxhetore. Ndërsa Qeveria është mbështetur në donacionet ndërkombëtare për përmirësimin e disponueshmërisë së kujdesit për fëmijë, duke përfshirë fondet e Instrumentit për Ndihmë Para-Anëtarësimit të Bashkimit Evropian (IPA), ne i bëjmë thirrje MASHTI-t të alokojë më shumë fonde të tilla dhe të inkurajojë fuqimisht komunat që të bëjnë të njëjtën gjë. Shpresojmë në uljen e mbështetjes në financime të jashtme për të siguruar burime të mjaftueshme dhe të qëndrueshme buxhetore për të ardhmen për këtë prioritet të rëndësishëm të zhvillimit kombëtar.

Ne gjithashtu ju inkurajojmë fuqimisht që të publikoni shtojcën e Ministrisë suaj për Buxhetin e vitit 2025, të kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe në përputhje me OZHQ 5.c., duke shpjeguar në mënyrë transparente se si buxheti juaj për vitin 2025 do të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore dhe në shpenzimet përkatëse të parashikuara.

Sinqerisht,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grave të Kosovës