Letër për Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Download File

I nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGJ) ka për qëllim të sigurojë që fondet të buxhetohen dhe shpenzohen për të adresuar nevojat potencialisht të ndryshme të grave, burrave, djemve dhe vajzave, të identifikuara përmes analizës gjinore. Sipas Ligjit të Kosovës Nr. 05/L-020 për Barazinë Gjinore, BPGJ është i detyrueshëm për të gjitha institucionet publike. Mospërmbushja e këtij obligimi, siç përcaktohet nga ky Ligj, përbën një shkelje ligjore dhe është e dënueshme me sanksione. Për më tepër, Qeveria ka interes në zbatimin e buxhetimit gjinor në kuadër të angazhimeve të saj ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (OZHQ), konkretisht OZHQ 5, treguesi 5.c.1; Korniza Suplementare e Shpenzimeve Publike dhe Përgjegjësive Financiare për vlerësimin e menaxhimit financiar publik të përgjegjshëm gjinor (GRPFM) dhe, më e rëndësishmja, si një praktikë e mirë në menaxhimin financiar. Zbatimi i BPGJ-së mund të kontribuojë në një shpenzim më efektiv, të përgjegjshëm dhe transparent të burimeve qeveritare, përfshirë edhe drejt arritjes së barazisë gjinore.

Prandaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmes qarkores buxhetore, ka kërkuar që të gjitha organizatat buxhetore të përfshijnë një shtojcë në kërkesat e tyre për ndarjen buxhetore për vitin 2025, duke shpjeguar se si buxheti i tyre për vitin 2025 siguron BPGJ-në.

Është e rëndësishme që Qeveria të përfshijë zyrtarët për barazi gjinore nga entitetet qeveritare dhe organizatat e shoqërisë civile në konsultimet publike që lidhen me buxhetin, siç kërkohet nga Ligji Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Për të mbështetur Qeverinë në zbatimin e përgjegjësive të saj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), një rrjet prej 141 organizatash të ndryshme për të drejtat e grave, ka përgatitur këtë letër me rekomandime për përmirësimin e BPGJ-së në lidhje me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025. Rekomandimet bazohen në hulumtimet dhe evidencat e RrGK-së për nevojat drejt avancimit të barazisë gjinore në Kosovë.

Ne fuqimisht rekomandojmë që Ministria e Punëve të Brendshme të përmirësojë mbrojtjen e të mbijetuarve të dhunës me bazë gjinore dhe të parandalojë përsëritjen e rasteve të dhunës me bazë gjinore duke ndarë fonde për blerjen dhe mirëmbajtjen e sistemeve elektronike të monitorimit, përfshirë byzylykët elektronikë. Këto janë të rëndësishme për monitorimin e kryerësve të dhunës dhe për të siguruar që ata të respektojnë urdhrat e mbrojtjes, duke ofruar një shtresë shtesë sigurie për të mbijetuarit.

RrGK fuqimisht i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të zbatojë këtë rekomandim, për institucionalizimin e BPGJ-së në Kosovë, në përputhje me angazhimet ekzistuese, dhe për një Buxhet më të përgjegjshëm gjinor për vitin 2025. Ne gjithashtu ju inkurajojmë fuqimisht që të publikoni shtojcën e Buxhetit të vitit 2025 të Ministrisë suaj, të kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe në përputhje me OZHQ 5, treguesi 5.c.1; duke shpjeguar në mënyrë transparente se si buxheti juaj për vitin 2025 do të kontribuojë në avancimin e barazisë gjinore dhe shpenzimet përkatëse të parashikuara.

Sinqerisht,

Igballe Rogova

Drejtore Ekzekutive

Rrjeti i Grave të Kosovës