E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGJ) ka për qëllim të sigurojë që fondet të buxhetohen dhe shpenzohen për të adresuar nevojat potencialisht të ndryshme të grave, burrave, djemve dhe vajzave, të identifikuara përmes analizës gjinore. Sipas Ligjit të Kosovës Nr. 05/L-020 për Barazinë Gjinore, BPGJ është i detyrueshëm për të gjitha institucionet publike, përfshirë komunat, ministritë dhe organizatat e tjera buxhetore.
Moszbatimi i BPGJ-së, siç është përcaktuar në këtë Ligj, përbën një shkelje ligjore dhe i nënshtrohet sanksioneve. Për më tepër, Qeveria ka interes për të zbatuar buxhetimin gjinor në kontekstin e angazhimeve të saj ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (SDG), konkretisht SDG 5, treguesi 5.c.1; Korniza Suplementare e Shpenzimeve Publike dhe Përgjegjësive Financiare (PEFA) për vlerësimin e menaxhimit të financave publike të përgjegjshme gjinore (GRPFM) në kontekstin e reformave të vazhdueshme të financave publike; dhe, më e rëndësishmja, si një praktikë e mirë në menaxhimin financiar. Zbatimi i BPGJ-së mund të kontribuojë në një shpenzim më efektiv, të përgjegjshëm dhe transparent të burimeve qeveritare, përfshirë edhe drejt arritjes së barazisë gjinore.
Prandaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmes qarkores buxhetore, ka kërkuar që të gjitha organizatat buxhetore në nivel qendror të ofrojnë një shtojcë për kërkesat e tyre për alokimin e buxhetit për vitin 2025, duke shpjeguar se si buxheti i tyre për vitin 2025 siguron BPGJ-në.
Veçanërisht, Qeveria duhet të përfshijë zyrtarët për barazi gjinore dhe organizatat e shoqërisë civile në konsultimet publike që kanë të bëjnë me buxhetin, siç kërkohet nga Ligji Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në zbatimin e përgjegjësive të saj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), një rrjet prej 141 organizatash të të drejtave të grave, ka përgatitur këtë letër me rekomandime drejt përmirësimit të BPGJ-së në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025. Rekomandimet bazohen në hulumtimin dhe provat e RrGK-së për nevojat drejt avancimit të barazisë gjinore në Kosovë.
Rekomandimet tona janë:
- Të siguroni që Ministria e Drejtësisë të ketë alokuar burime të mjaftueshme për një Qendër të Krizës për Dhunimet, trajtimin për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe një linjë telefonike SOS, sipas Konventës së Stambollit, në përputhje me Protokollin e ri Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale.
- Të inkurajoni fuqimisht që komunat të kërkojnë dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të alokojë një buxhet të mjaftueshëm për Qendrat për Punë Sociale në kategorinë e Pagave dhe Mëditjeve si pjesë e Grantit të Përgjithshëm të Qeverisë për të punësuar më shumë punëtorë socialë në çdo komunë, të cilët janë të ngarkuar specifikisht me trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Kostoja shtesë e punësimit të dy punëtorëve socialë në çdo komunë për të adresuar rastet e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje, do të arrijë në rreth 444,000 euro në vit për Qeverinë e Kosovës. Kjo shumë përfshin faktin se Prishtina, komuna më e madhe, do të kërkonte katër punëtorë të tillë socialë duke marrë parasysh madhësinë e saj. Kjo duhet të kërkohet nga të gjitha komunat si pjesë e buxheteve të tyre për zbatimin e kuadrit ligjor dhe Protokollit të ri Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale.
- Të siguroni financim të mjaftueshëm për Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhunën ndaj Grave, përfshirë mbështetjen e ofruesve të shërbimeve eksperte nga shoqëria civile.
- Të mbështesni komunat që të rrisin alokimet buxhetore për strehimin social për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
- Të siguroni financim të duhur për strehimoret për të mbijetuarat e dhunës në familje gjatë gjithë vitit. Si më parë, RrGK beson fuqimisht se kontratat afatgjata me strehimoret do të minimizojnë mundësitë që strehimoret të mbyllen për shkak të shpërndarjes së vonuar të fondeve ose mungesës së financave, që shpesh ndodh gjatë tre muajve të parë të vitit.
RrGK do të kishte kënaqësinë të ofronte më shumë informacione dhe prova për të mbështetur dhe justifikuar këto rekomandime dhe llogaritjet e shpenzimeve, nëse është e nevojshme. RrGK nxit fuqishimisht Ministrinë e Drejtësisë të zbatojë këto rekomandime, drejt institucionalizimit të BPGJ-së në Kosovë, në përputhje me angazhimet ekzistuese, dhe drejt një buxheti më të përgjegjshëm gjinor për vitin 2025.
Sinqerisht
Igballe Rogova
Drejtore Ekzekutive
Rrjeti i Grave të Kosovës