Me rritjen e vazhdueshme të përdorimit të internetit dhe TIK-ut, dhuna kibernetike është bërë një kërcënim serioz, veçanërisht për gratë dhe vajzat. Kjo formë e dhunës përfshin ngacmimin, kërcënimet, shpifjet, publikimin e materialeve intime pa pëlqim, dhe forma të tjera të abuzimit që ndodhin përmes platformave online. Aktualisht, legjislacioni penal në Kosovë nuk përfshin specifikisht dhunën kibernetike, duke lënë një vakum ligjor në mbrojtjen e viktimave të kësaj forme të dhunës.
Në maj të vitit 2024, Bashkimi Evropian votoi Direktivën për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës ne Familje, duke shënuar një hap vendimtar drejt garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së grave dhe vajzave në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë edhe online. Kjo përmbledhje politikash synon të informojë procesin e ndryshimit të Kodit Penal të Kosovës duke theksuar nevojën për përkufizime dhe dënime të harmonizuara për dhunën kibernetike.
Në bazë të Direktivës dhe kornizës ekzistuese ligjore, Kosova duhet të inkorporoj në Kodin Penal veprat dhe dënimet në vijim, të marra nga eksperiencat ndërkombëtare.
Rrjeti i Grave të Kosovës propozon që ky nen të vendoset në Kapitullin XXI të Kodit Penal, të shtohet nen i ri Neni 249 Dhuna Kibernetike në Baza Gjinore.