Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) e ka realizuar këtë hulumtim me qëllim të identifikimit të boshllëqeve ende ekzistuese në kuadrin ligjor të Kosovës për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të njohur si Konventa e Stambollit. Po ashtu, synimi ka qenë të kontribuojë në proceset e vazhdueshme përmes vlerësimit të njohurive, qëndrimeve dhe performancës së institucioneve përgjegjëse në zbatimin e këtij kuadri ligjor. Gjetjet bazohen në literaturën ekzistuese, të dhënat relevante, 128 intervista me institucione përgjegjëse, si dhe monitorimin e gjykatave. Ky raport, që mbulon periudhën 2021–2024, ndërtohet mbi monitorimet e rregullta që RrGK ka bërë mbi performancën institucionale që nga viti 2008.
