Qasja e grave dhe vajzave të komunitetit rom, ashkali e egjiptas në shërbime shëndetësore, e mangët

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, “EcoKosWomen” (EKW) ka mbajtur tryezë informuese me temën  “E drejta në kujdesin shëndetësor cilësor”.

Kjo tryezë kishte për qëllim avokimin tek institucionet lokale për përmirësimin e qasjes në kujdes shëndetësor cilësor të grave rome, ashkali dhe egjiptiase si dhe adresimin e problemeve dhe sfidave të cilat hasen gjatë qasjes së tyre në kujdesin parësor shëndetësor.  

Qëndresa Ademi nga komuniteti rom, asambleiste në komunën e Fushë Kosovës, tha se qasja në shërbime shëndetësore cilësore në mesin e komuniteteve rom, ashkali e egjiptas vazhdon të mbetet  diskriminuese, por siç thotë ajo ndër vite ka përmirësim.

“Unë kam biseduar me gra meqenëse i përfaqësoj në Kuvendin Komunal  dhe gjendja aktuale e grave dhe vajzave në qasjen shëndetësore mbetet e vështirë, për shkak të kushteve ekonomike. Sidomos te mjeku gjinekolog çalon qasja për shkak se aty ndodh diskriminimi më i madh. Kjo vjen si pasojë e kushteve të rënda ekonomike, mos qasjes në ujë të pijshëm dhe kontrollet e grave shpeshherë nuk janë kryer për shkak se vetë mjekët kanë treguar një qasje agresive me gratë duke iu thënë se duhet të jeni më të pastra. Vështirësitë ndodhin zakonisht te mungesa e mjekut në lagje, nuk e kanë të rregulluar transportin, andaj edhe qasja vështirësohet”, tha ajo.

Nita Ferizi Sadiku hulumtuese e projektit tha se të gjeturat e hulumtimit tregojnë se gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas nuk kanë informacion rreth kujdesit shëndetësor primar që ofrohet në kuadër të QKMF-së. Pra, ato zakonisht në mungesë informacionesh drejtohen në kujdesin terciar, QKUK apo edhe klinika private, e që del të jetë shqetësuese, pasi informatat mungojnë.

“Të dhënat e hulumtimit flasin se shërbimet  shëndetësore që mungojnë në komunën e Fushë Kosovës në QKMF, janë prania e specialistit gjinekolog dhe pediatër, dhe kjo ka qenë kërkesë e komuniteteve meqë e shohin si të nevojshme. Ndërkaq sa ju përket shkeljeve të së drejtës në kujdesin shëndetësor, rreth 60 për qind e të anketuarve tregojnë se nuk kanë njohuri mbi shkeljet, ose nuk dinë të raportojnë, pra nuk i dinë të drejtat që iu takojnë me ligj”, tha ajo.

Remzi Shala shef i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, pjesëmarrës në tryezë tha se sa i përket shërbimeve shëndetësore “besoj që jemi munduar që të jetë një gjithëpërfshirje dhe barazi në dhënien e shërbimeve shëndetësore cilësore të qasshme për këtë kategori me theks të vecantë në Fushë Kosovë.”

“Unë personalisht në Asamble Komunale kam ngritur zërin që të mos bëjmë dallime në dhënien e shërbimeve shëndetësore, pasi janë obligative dhe duhet me qenë të barabarta. Unë mendoj që shërbimet që ofrohen janë të barabarta. Theks të vecantë i kemi kushtuar vaksinimit, kujdesit paliativ, dhe mendoj se duhet të japim edhe më shumë pasi komunitetet rome, ashkali dhe egjiptase, kushtet ekonomike i kanë më të rënda, dhe unë mendoj se në komunën e Fushë Kosovës e ndjenjë veten mirë pasi aty nuk ka ndarje në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Komunitetet janë të pranuar me të drejta të barabarta”, tha ai.

Kjo tryezë organizohet në kuadër të projektit “Promovimi i kujdesit shëndetësor- pjesë e domosdoshme e jetës ”.

Organizata “EcoKosWomen” e realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).