Qendra e Gruas “ATO” mban ligjërata me nxënës rreth shëndetit reproduktiv

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Qendra e Gruas “ATO”, ka vazhduar zbatimin e nismës “Edukimi rreth shëndetit reproduktiv”.

Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor, kjo organizatë mbajti dy ligjërata me nxënësit e shkollës fillore “Lumëmadh” në Vushtrri dhe të shkollës fillore “Mustaf Shyti” në fshatin Oshlan. 40 nxënës pjesëmarrës në këto ligjërata morën informacione rreth edukimit shëndetësor reproduktiv, higjienën personale, ciklin menstrual, shtatzënitë e padëshirueshme si dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme e parandalimin e tyre.

Ligjëruese ishte Mërgime Jashari, psikologe, e cila e vlersoi këtë nismë si shumë të dobishme për sensibilizimin e vajzave dhe djemve rreth rëndësisë së edukimit shëndetësor, edukimit seksual dhe ngacmimeve seksuale.

“Në zonat rurale infomimi mbi shëndetin reproduktiv mungon dhe insitucionet komunale ende nuk kanë ndonjë agjendë për këtë çështje. Andaj është shumë e dobishme të mbështeten nisma të tilla që kontribuojë në mbrojtjen e shëndetit publik”, tha Jashari teksa vlerësoi kontrubutin e Fondit të Grave të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të organizatave lokale.

Kurse, Drejtorja Ekzekutive e organizatës, Fikrije Ferizi, ndër të tjerash njoftoi se kjo organizatë do të vazhdojë me ligjërata të ngjashme edhe në fshatrat e tjera në Komunën e Vushtrrisë si: Smrekonicë, Maxhunaj dhe Samadrexhë.

Kjo nismë, përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, në kuadër të nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”.