Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Qendra e Gruas “ATO”, ka përmbyllur me sukses nismën “Edukimi rreth shëndetit reproduktiv”, si përfituese e raundit të 15-të Fondit të Grave të Kosovës.
Kjo organizatë ka mbajtur pesë ligjërata në shkollat fillore të fshatrave të Vushtrrisë, me ç‘rast nxënësit morën informacione rreth edukimit shëndetësor reproduktiv, higjienën personale, ciklin menstrual, shtatzënitë e padëshirueshme si dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme e parandalimin e tyre.
Në këto ligjërata pjesëmarrës dhe përfitues direkt ishin 107 nxënës në çdo fshat nga 20-25 nxënës, të cilët u informuam për të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor dhe për rëndësinë e qasjes në kujdesin shëndetësor.
Gjithashtu janë mbajtur ligjërata edhe më mësimdhënës për rëndësinë e përfshirjes së lëndës së edukimit seksual në shkolla.
Nuk ka munguar as ligjërata për zhvillimin e mbajtjen e edukimit cilësor dhe të ndjeshëm gjinor pa stereotipe gjinore dhe drejt transformimit të roleve gjinore në shkolla në të cilat punojnë.
Shoqata e Grave Ato gjithashtu ka realizuar një video animacion me informata bazike rreth ciklit menstrual dhe higjienës personale, ngacmimit seksual dhe rëndësisë që këto tema të diskutohen lirshëm. Video është shpërndarë në rrjetet sociale, në Facebook dhe Instagram.
Kjo nismë e organizatës “ATO” është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.