Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit JETA/VITA (QKLKGJ) me përkrahje nga RrGGK, organizoi një fushatë gjatë muajit mars që kishte për cak ngritjen e vetëdijes mes grave dhe shoqërisë në përgjithësi sa i përket një problemi madhor shëndetësor, siç është kanceri i gjirit.
Për fat të keq, në Kosovë nuk ekzistojnë të dhëna lidhur me këtë sëmundje, por informatat nga vendet tjera të rajonit sugjerojnë se një në nëntë apo dhjetë gra vuan nga kanceri i gjirit. Kanceri paraqet shkaktarin më të shpeshtë të mortalitetit tek gratë.
Përderisa në Kosovë është ngritur niveli i paraqitjes së kancerit të gjirit, kushtet për parandalim, zbulim të hershëm dhe trajtim janë tejet të limituara. Kosovës i mungojnë kushtet elementare për luftimin e kancerit të gjirit: Instituti Onkologjik me personel të kualifikuar mjekësor dhe pajisje të domosdoshme për punë; organizimin institucional dhe social për ofrimin e trajtimit të vazhdueshëm institucional; dhe përkrahja për këto institucione dhe programe.
QKLKGj dhe RrGGK shkruan një letër për Kryeministrin dhe Ministrin e Shëndetësisë dhe kërkuan takim me ta, për të kërkuar hartimin e një Strategjie Kombëtare për Luftimin e Kancerit të Gjirit; finalizimin e ndërtimit të Institutit Onkologjik dhe funksionalizimin e tij; dhe angazhime më serioze të politikëbërësve dhe qeverisë, në veçanti sa i përket konsiderimit të kancerit si kërcënim me të cilin përballen shumë gra.
Më 8 mars, RrGGK dhe QKLKGj organizuan nënshkrimin e një peticioni, duke inkurajuar qytetarët që të nënshkruajnë një peticion që thërret për implementimin e këtyre kërkesave. Përveç kësaj, përfaqësues të RrGGK dhe QKLKGj u paraqitën në debate televizive dhe tryeza të rrumbullakëta lidhur me këtë temë. RrGGK gjithashtu avokoi për publikimin e deklaratave të shërbimeve publike në stacionet televizive kombëtare. Shtypshkronja KOHA, Kryqi i Kuq i Kosovës, dhe të gjitha mediat përkrahën këtë fushatë.