Që nga themelimi i saj në vitin 2002, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) ka operuar si një organizatë feministe, duke u pozicionuar si një forcë shtytëse për barazinë gjinore në Kosovë. Në një kontekst shoqëror ku ndryshimet nuk mund të prodhohen thjesht përmes diskursit, QKSGJ ka orientuar misionin e saj drejt ndryshimeve strukturore, duke e vendosur analizën gjinore dhe evidencën hulumtuese në themel të çdo ndërhyrjeje politike dhe institucionale.
Si organizata e parë e këtij lloji në vend, e themeluar në vitin 2002 nga Programi i Gruas në Fondacionin për Shoqëri të Hapur në Kosovë nga Luljeta Vuniqi, aktiviste feministe dhe bashkëthemeluese e RrGK-së, QKSGJ ka shërbyer si një mekanizëm kritik për integrimin e perspektivës gjinore në politikat publike, programet sektoriale dhe proceset vendimmarrëse. Puna e QKSGJ-së nuk është kufizuar vetëm në identifikimin e pabarazive, por në zhvillimin e modeleve të ndërhyrjes që sfidojnë normat shoqërore diskriminuese.
Krijimi i të dhënave është pjesa kryesore mbi të cilën ndërtohet avokimi i QKSGJ-së. Qendra beson se politika efektive janë ato që burojnë nga analiza e thellë, duke përfshirë gjithmonë një perspektivë gjinore. Përmes studimeve gjithëpërfshirëse – nga analiza e teksteve shkollore sipas standardeve të UNESCO-s dhe BE-së, te hulumtimet komplekse mbi ekonominë e kujdesit dhe sistemet e mirëqenies sociale, e te dokumentimi i historisë së grave, QKSGJ ka ofruar të dhëna të pakontestueshme për boshllëqet strukturore në vend. Kontributi i vazhdueshëm i QKSGJ-së në hartimin e politikave, siç është edhe ajo e Parandalimit të Ngacmimit Seksual në Administratë Publike, monitorimin e strategjive kundër dhunës me bazë gjinore, dëshmon angazhimin për t’i transformuar gjetjet analitike në masa konkrete vepruese.
Puna e QKSGJ-së shtrihet përtej studimeve. Për QKSGJ-në, studimet gjinore nuk janë qëllim në vetvete, por një instrument për të nxitur dialogun dhe ndryshimin shoqëror.
Sot, nën udhëheqjen e Drejtores Ekzekutive, Luljeta Demolli, QKSGJ mbetet besnike ndaj vizionit të saj fillestar, duke reflektuar përvojën dy-dekadëshe në strategji të reja avokimi. Takimet tona të fundit me rrjetin e organizatave anëtare rikonfirmojnë se bashkëpunimi dhe lidhja e përvojave janë të domosdoshme përballë sfidave aktuale me financimin e OJQ-ve dhe hapësirën gjithnjë e më të ngushtë të shoqërisë civile.
Pas më shumë se dy dekadash, QKSGJ vazhdon të jetë pjesë e hapësirës së organizatave dhe aktivisteve që punojnë për një shoqëri më të barabartë.
Më shumë rreth punës, hulumtimeve dhe aktiviteteve të QKSGJ-së mund të mësoni në faqen e saj zyrtare dhe faqen e Facebook.
Nëse dëshironi të përkrahni QKSGj-në përmes një donacioni, ju lutemi na kontaktoni për më shumë informacione mbi mënyrën se si mund të kontribuoni.
Nëse dëshironi të përkrahni QKSGj-në përmes një donacioni, mund ta bëni duke ju shkruar dretjpërdrejt ose përmes sponsorit tonë fiskal, East-West Management Institute (EWMI).
Donacionin mund ta bëni online përmes EWMI.
