I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti,
E nderuara Ministre e Ministrisë së Financave, znj. Hykmete Bajrami,
I nderuar Ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica,
Më datë 25 shtator 2020, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash, votuan pro amandamentit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qëllim që Konventa e Stambollit të përfshihet në Kushtetutë. Konventa e Stambollit është një instrument i rëndësishëm ligjor për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), organizatat jo-qeveritare të udhëhequra nga gratë, strehimoret dhe qendrat ditore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave mirëpritën këtë votim dhe ndryshim kushtetues. Ky akt dëshmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës që ta trajtoj me seriozitet dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.
Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave vazhdojnë të jenë preokupim i shoqërisë kosovare. Vetëm në periudhën e pandemisë, veçanërisht në kohën e izolimit, në institucionet vendore është rritur numri i raportimeve të dhunës në familje. Policia e Kosovës ka deklaruar se për dallim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjatë këtij viti kishte mbi 30% rritje të raportimeve të dhunës në familje. Si pasojë e dhunës në familje, 6 gra humbën jetën gjatë këtij viti. Këto të dhëna janë thirrje për reagim, në mënyrë që dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave të trajtohen seriozisht nga secila shtyllë e shoqërisë.
Si gjithnjë, gjatë kësaj periudhe, strehimoret dhe qendrat ditore që u ofrojnë strehim dhe mbështetje viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ishin të parat që hapën dyert dhe ofruan mbështetje për këto viktima. Strehimoret dhe qendrat ditore në baza ditore u ofrojnë këtë mbështetje viktimave, edhe pse shpesh me kapacitete të kufizuara, si pasojë e mungesës së fondeve të mjaftushme për mbështetje adekuate për viktimat dhe fëmijët e tyre.
Tani që Kosova ka votuar pro zbatimit të Konventës së Stambollit, na pret një përkushtim multi sektorial për një jetësim sa më të mirë të saj. Në këtë aspekt, ne e çmojmë lartë përkushtimin e qeverisë, që në Projektligjin e Buxhetit për vitin 2021, ka planifikuar të ndajë 1 milion euro në linjën Shërbimet Bazike për Strehimoret. Megjithatë, duke qenë se për votim të buxhetit shpesh është dashur kohë, strehimoret dhe qendrat ditore, ka disa vite, që në fundvit mbesin pa mbështetje financiare. Me këtë rast edhe viktimat e fëmijët e tyre rrezikohen të mbesin pa strehim.
Andaj, me anë të kësaj letre, RrGK, strehimoret dhe qendrat ditore për mbështetje të viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, u bëjmë thirrje që të bëhet një zgjidhje adekuate, në mënyrë që strehimoreve dhe qendrave ditore të mos u rrezikohet funksionimi i tyre, veçanërisht në muajt në vijim, ku pritet që vendin tonë ta kaplojë një valë e re e pandemisë si dhe festat e fundvitit, kohë kjo kur sipas të dhënave zyrtare, ka rritje të raportimeve të dhunës në familje.
Ne po ashtu inkurajojmë qeverinë e Kosovës, që linjën Shërbime Bazike për Strehimore ta bëjë linjë të përhershme të Ligjin për Buxhetin e Kosovës.
Sinqerisht,
Igballe Rogova
Drejtore Ekzekutive
Rrjeti i Grave të Kosovës