Me 25 nëntor, Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) në zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Koordinatorin Nacional kundër Dhunës në Familje, Zëvendës Ministrin, Lirak Çelaj zyrtarisht hapën fushatën 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Familje. Data 25 nëntor shënon Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave.
Kryeshefja Ekzekutive e ABGJ-së, Edona Hajrullahu mbajti fjalën hyrëse. “Me dhunë nuk nënkuptojmë vetëm dhunën fizike, ka edhe dhunë emocionale, psikologjike, ekonomike," theksoi ajo. “Siguria, sidomos siguria fizike, është themeli i zhvillimit të një shteti."
Pastaj, Koordinatori Nacional, Zëvendës Ministri Çelaj, ndau më shumë informata rreth procesit të draftimit të Strategjisë së re Kombëtare dhe Planit të Veprimit kundër Dhunës në Familje, një process që ka filluar javën e kaluar.
"Unë rikonfirmoj përkushtimin tim dhe përkushtimin e qeverisë për të luftuar këtë fenomen të dëmshëm për shoqërinë tonë," tha ai.
Ndërkaq, Drejtorja Ekzekutive e RrGGK, Igballe Rogova prezanoti të gjeturat kryesore nga hulumtimi i RrGGK-së, i publikuar së fundmi: Mjaft më me arsyetime – Një analizë e qëndrimeve, incidencës dhe përgjigjes institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë.Ajo theksoi që përderisa disa gjëra janë përmirsuar që nga viti 2008, ende egzistojnë disa sfida. Ajo poashtu foli për rëndësinë e “trekëndësisht të bashkëpunimit” në mes të qeverisë, donatorëve dhe shoqërisë civile, duke theksuar rëndësinë e të gjithë akterëve në përkrahjen e punës së institucioneve, në vend të përkrahjes vetëm të agjendave së tyre. “Është koha që t’i bashkojmë forcat dhe të punojmë së bashku seriozisht në këtë temë,” tha ajo. ”Ne si Rrjet nuk bëjmë aktivitete gjatë 16 ditëve të aktivizmit. Ne jemi aktive 365 ditë, sepse dhuna ndodhë gjatë gjithë vitit,” shtoi ajo.
Në këtë takim, foli edhe Blerta Deliu Kodra, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Kryesuese e Grupit të Grave Deputete. Fushata 16 ditë do të vazhdojë deri me 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Për më shumë informata rreth kalendarit të aktiviteteve, klikoni këtu.Megjithatë, përtej këtyre ditëve, RrGGK bën thirrje për 365 kundër dhunës ndaj grave.