Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) shfaqi dokumentarin “Thirrje për Ndihmë”, një dokumentar i përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me personat me aftësi të kufizuara mendore.
QKRMT organizoi shfaqjen e dokumentarit për të shënuar 10 Tetorin, Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. Dokumentari poashtu lidhet me fushën e veprimtarisë së QKRMT: parandalimin e torturës dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
QKRMT shfaqi dokumentarin më 22 Tetor në Institutin Special në Shtime, duke shfaqur në këtë mënyrë mbështetjen për rezidentët e këtij institucioni të shëndetit mendor.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi dhe mbështetja e zhvillimit të aftësive punuese të Personave me Aftësi të Kufizuara Mendore, me Sëmundje Psikiatrike dhe me Prapambetje Mendore, si dhe dëshira e vullneti i tyre për tu marrë me aktivitete të lira,” tha Feride Rushiti, Drejtoreshë Ekzekutive e QKRMT-së.
Në këtë ngjarje morrën pjesë përfaqësues të ndryshëm të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
“Ishte shumë ide e mirë që dokumentari të shfaqet në Institutin Special në Shtime, sepse në këtë mënyrë përfaqësuesit e qeverisë, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile patën rastin të shohim ambientet brenda institutit dhe kushtet e mira që ata ofrojnë për rezidentët e këtij institucioni,” tha Igballe Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive e RrGGK.
Dokumentari u krijua në bashkëpunim me Institutin Special në Shtime dhe u mbështet nga Civil Rights Defenders. QKRMT është organizatë anëtare e RrGGK-së.