Më 25 tetor, Qendra e Kosovës për Zhvillim dhe Integrim Multikulturor organizoi, në Gjakovë, në objektet e Qendrës për Punë Sociale, kurset për kompjuter, gjuhë angleze si dhe oratori në kuadër të projektit "Fuqizimi ekonomik i të rinjve nga komunitetet jo-shumicë: Rom, Ashkali, Egjiptian, me fokus tek vajzat". Në këto kurse morën pjesë gjithsej 8 vajza dhe 7 djem të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian nga komuna e Gjakovës me rrethinë, trajneret Gjuljeta Shehu dhe Nexhmije Hana, trajneri Olsi Turtulli si dhe dy përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Duke marr parasysh faktin se shumica e të rinjve të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian edhe pse kanë përfunduar shkollim te mesëm dhe të lartë universitar, kanë shumë vështirësi në sigurimin e punësimit, për këtë qëlim organizata QKZHIM filloi implementimin e këtij projekti me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të të rinjëve të komuniteteve jo shumicë në komunën e Gjakovës.
Kursi i parë i mbajtur të mërkurën më 25 tetor ishte kursi për kompjuter, udhëhequr nga profesoresha Gjuljeta Shehu. Gjatë kësaj ore të pranishmit mësuan më shumë rreth përdorimit të programit PowerPoint. Deri më tani janë përfunduar dhe mësuar programet Excel-i dhe Word-i. Temat e planifikuara për tu ligjëruar deri në përfundim të këtij projekti janë përdorimi i internetit, përgatitja e dokumenteve zyrtare, përdorimi i aparateve fotokopjuese si dhe printuese.
Kursi i dytë i mbajtur po atë ditë ishte kursi i gjuhës angleze, udhëhequr nga profesoresha Nexhmije Hana. Përfitueset dhe përfituesit të këtij kursi janë ende në nivel të parë, ky nivel planifikohet të përfundohet deri në mbarimin e këtij projekti.
Kursi i fundit i mbajtur në këtë ditë ishte kursi i oratorisë i udhëhequr nga profesori Olsi Turtulli. Gjatë këtij kursi të pranishmit mësojnë më shumë rreth temave si: ushtrimet e nofullës, buzëve dhe te gjuhës me nga disa variante, frymëmarrjes, zërit, diksionit si dhe rëndësinë që kanë të gjitha këto në komunikimin.
Këto kurse do vazhdojnë të mbahen çdo të hëne, mërkure dhe të shtunë deri në fund të muajit nëntor, kur dhe përfundon implementimi i projektit të udhëhequr nga QKZHIM-ja.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.