QMGF lansoi publikimin “Çka pas strehimores? Riintegrimi i grave të mbijetuara të dhunës”

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF), në dhjetor 2020, publikoi hulumtimin“Çka pas strehimores? Ri-integrimi i grave të mbijetuara të dhunës”.  

Ky hulumtim u bë në kuadër të nismës “Fuqizimi i grave viktima të dhunës në bazë gjinore përmes programeve të riintegrimit”, falë mbështetjes së marrë nga roundi I 14-të i Fondit të Grave të Kosovës me qëllim që të bëjë krahasimin e programeve riintegruese nëpër institucione. 

QMGF gjithashtu mbajti edhe një takim online me akterët kyç si përfaqësues të Ministrisë së Mireqënies Sociale, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si dhe përfaqësues të Komunës së Prishtinës, të Obiliqit dhe të Fushë Kosovës. Në këtë takim u diskutua hulumtimi, edhe u bënë publike rekomandimet rreth përmirësimit të riintegrimit të grave që kanë përjetuar dhunë. 

Kurse, në takimin përmbyllës, Drejtorja Ekzekutive e Organizatës, Zana Asllani ka folur për qëllimin e përgjithshëm të kësaj nisme. 

“Riintergrimi i viktimave të dhunës në familje është hallkë shumë e rëndësishme në parandalimin e dhunës në bazë gjinore në të gjithat format e saj. Mungesa e programeve të ri-intergrimit në qendra ku u ofrohet ndihmë grave dhe fëmijëve viktima të dhunës, kufizon mundësitë që atyre tu sigurohet siguri dhe mbështetje më e qëndrueshme dhe afatgjatë edhe pas intervenimit fillestar”, u shpreh  Asllani. 

Rekomandimet e hulumtimit janë si vijon: 

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale 

  • Të sigurohen fondet e mjaftueshme të financimit për strehimoret. 
  • Të ngriten kapacitetet të strehimoreve gjithandej Kosovës për të siguruar dhe ofruar shërbime për të gjitha komunitetet në Kosovë. 
  • Të mbështetet hartimi dhe zbatimi i strategjisë së riintegrimit për programin e përfshirjes sociale afatgjatë për të mbijetuarit e dhunës në familje. 
  • Të përmirësohet koordinimi ndërmjet strehimoreve, Qendrave për Aftësim Profesional dhe Zyrave të Punësimit, duke identifikuar në mënyrë më aktive trajnimet për shkathtësitë që kërkohen në treg si dhe punët e përshtatshme për personat e dhunuar, në veçanti gratë. 
  • Të mbështetet hartimi dhe zbatimi i standardeve dhe trajnimeve të stafit në Qendrat e Komuniteteve për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve sociale dhe familjare për vajzat dhe gratë përmes ngritjes së kapaciteteve njerëzore të ofruesve publik dhe joqeveritar (në harmonizim me Strategjinë Sektoriale të MPMS 2018-2022). 

Qendra për Punë Sociale 

  • Të krijohet dhe zbatohet plani për përfshirjen e përfituesve të ndihmës sociale në programe të punësimit. 
  • Të mbështetet hartimi dhe zbatimi i standardeve dhe trajnimeve të stafit në Qendrat e Komuniteteve për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve sociale dhe familjare për vajzat dhe gratë përmes ngritjes së kapaciteteve njerëzore të ofruesve publik dhe joqeveritar (në harmonizim me Strategjinë Sektoriale të MPMS 2018-2022). 

Qendra për Aftësim Profesional në Regjionin e Prishtinës 

  • Të zhvillohet bashkëpunim me zyrat për punësim dhe qendrat e aftësimit profesional, si dhe me Qendrat për Punë Sociale me qëllim të ofrimit të trajnimeve të zhvilluara enkas dhe kurseve të zhvillimit profesional për viktimat e dhunës në familje, si pjesë e planeve të tyre për rehabilitim. 
  • Të ofrohen trajnime për përfitueset e kategorive sociale si dhe të angazhohen në programet e punësimit, duke u bazuar në plane individuale të riintegrimit të përfitueseve. 

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, Prishtinë 

  • Të zhvillohet bashkëpunim dhe koordinim me zyrat për punësim dhe qendrat e aftësimit profesional, si dhe me qendrat për punë sociale me qëllim të ofrimit të trajnimeve të zhvilluara enkas dhe kurseve të zhvillimit profesional për viktimat e dhunës në familje, si pjesë e planeve të tyre për rehabilitim dhe riintegrim. 
  • Të fuqizohet bashkëpunimi me institucionet lokale për nisjen e programeve për krijimin e të ardhurave që do të mbështesnin financiarisht strehimoret dhe që do të përmirësonin shkathtësitë profesionale të viktimave. 

Kjo nismë mbështetet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.