“Raba Voca” fillon fushatën “Thyej heshtjen”

Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës “Raba Voca” – Mitrovicë, organizoi fushatën avokuese mbi vetëdijësimin e grave për të drejtat e tyre. Duke respektuar distancën fizike, me maska dhe numër të kufizuar të pjesëmarrësve, Raba Voca ka ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave në Kosovë. 

Fushata “Thyej heshtjen” nisi aktivitetet nga muaji shkurt duke vazhduar deri në fund të shtatorit, si përfituese nga roundi I 14-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me qëllim të sensibilizimit të institucioneve dhe komunitetit mbi të drejtat e grave dhe rëndësinë e luftimit të dhunës me bazë gjinore.

Përgjatë kësaj fushate avokuese morën pjesë përfaqësues nga Komuna e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë, asambleistë si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, gratë ndërmarrëse dhe studentë. Gjithsej 205 pjesëmarrës, përkatësisht 160 gra dhe 30 burra, të etniciteteve të ndryshme si: shqiptarë, boshnjak, serb, turk, egjiptian, ashkali dhe romë nga 13 fshatra të Komunës së Vushtrrisë, Mitrovicës dhe Skenderaj.

Gjatë sesioneve informuese që u mbajtën në tre komunat e lartpërmendura, qytetarët u njoftuan edhe për rëndësinë e raportimit të dhunës me qëllim fuqizimin e të drejtave të grave.

“‘Thyej heshtjen” nënvizoi një nga pengesat kryesore për të luftuar dhunën kundër grave.

“Shumica e grave e konsiderojnë dhunën në familje si çështje private dhe shumë pak gra që kanë përjetuar dhunë flasin për të si, dhe shumë pak prej tyre e raportojnë dhunën”, u shpreh Fidane Hyseni, Drejtore Ekzekutive e Qendrës “Raba Voca”.

Kjo nismë u mirëprit nga pjesëmarrësit, me ç’rast ku të pranishmet janë informuar më shumë mbi gjendjen aktuale si dhe mbi punën të cilën duhet bërë drejt arritjes së rezultateve më pozitive për gratë, e rrjedhimisht për të gjithë shoqërinë.

“E kemi ditur se dhuna nuk është e mirë, mirëpo nuk e kemi ditur se ku duhet të drejtohemi”, janë fjalët e njërës nga pjesëmarrëset, e cila e ka vlerësuar këtë nismë si shumë dobiprurëse për komunitetin.

Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.