Raporti i ri: Kush kujdeset? Ofron mënyra për rritjen e mundësive të kujdesit të fëmijëve në Kosovë dhe bën thirrje për njohjen e punës së papaguar të grave

     Me 1 Nëntor,  Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) ka lancuar raportin e ri: Kush kujdeset? Kërkesat, ofertat dhe opsionet për rritjen e mundësive të kujdesit të fëmijëve në Kosovë.
     I hartuar nga RrGGK, ky raport shqyrton nivelin e kërkesës për shërbime të kujdesit ndaj fëmijëve në Kosovë, ofertat aktuale nga ofruesit publik dhe privat të këtyre shërbimeve, si dhe kërkesat ende të papërmbushura për shërbime të kujdesit për fëmijë në Kosovë.  Hulumtimi ka gjetur se aktualisht vetëm 15.5% e fëmijëve kosovar kanë qasje në kujdesin ndaj fëmijëve në Kosovë. Veçanërisht fëmijët që jetojnë në zonat rurale kanë mungesë të qasjes në kujdesin ndaj fëmijëve dhe 12 komuna nuk duket që të kenë fare çerdhe në dispozicion. Për më tepër 88% e grave të papuna, të intervistuara në studimin e vitin 2016, thanë se do të kërkonin punë në qoftë se mund të gjejnë kujdes për fëmijët e tyre.
     “Disa studime kanë treguar se përgjegjësitë për ofrimin e kujdesit në shtëpi kontribuojnë në këtë pjesëmarrje të ulët të grave”, thuhet në raport.      “Në shumicën e kulturave, grave u caktohen detyrat dhe përgjegjësitë tradicionale gjinore të punës së kujdesit pa pagesë. Kujdesi pa pagesë mund të ndikojë negativisht në nivelin e arsimimit të grave, në pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore, në përfshirjen politike si dhe në nivelet e varfërisë gjatë jetës.”
     Në kuadër të pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës në Kosovë (18.1%) dhe prioritetet e qeverisë për rritjen e aksesit të arsimit primar, thuhet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, ky raport  vë me radhë disa modele që mund të përdoren për të zgjeruar mundësitë për kujdesin e fëmijëve në Kosovë. Të transformohen shërbimet aktualisht të papaguara për kujdes ndaj fëmijëve, të ofruara kryesisht nga gratë, në shërbime të paguara ku mund të krijojnë mijëra vende të reja pune për burrat dhe gratë, argumenton raporti, duke arritur në vlerë prej 50.6 milion euro në të ardhura të reja në vit. Më tej, duke investuar në rritjen e kujdesit të fëmijëve në dispozicion në Kosovë, mund të kontribuojë në arritjen e përmirësuar të arsimimit të fëmijëve dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore.
     Gjatë lansimit të projektit pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me praktikuesit e modeleve të ndryshme të partneritetit publik-privat, bashkë-financim privat, si dhe qendrat e kujdesit për fëmijët me bazë në komunitet.
     Pasi që PPSE dhe RrGGK besojnë fuqimisht se provat mund të frymëzojnë veprime, prezantimi u pasua nga një thirrje e PPSE-së për aplikime për Fondin e Mundësive, drejt rritjes së mundësive të kujdesit të fëmijëve në Kosovë. Përmes këtij fondi, PPSE do të ofrojë grante për biznese private, iniciativa të bazuara në komunitete, njësi administrative publike, dhe OSHC-të e interesuar për të investuar në zgjidhje të qëndrueshme për rritjen e mundësive të kujdesit të fëmijëve në Kosovë. Për më shumë informacione, vizitoni: www.ppse-kosovo.org.
     Duke u fokusuar në pesë zonat gjeografike, ky hulumtim sipas metodës së rastit, ka përfshirë një analizë me 491 nëna të papunësuara të cilat kanë fëmijë; një anketë me 519 gra dhe burra të papunësuar; intervista me 61 punëdhënës; intervista me 51 qendra publike dhe private të kujdesit për fëmijë; si dhe intervista me zyrtarë publikë.
     Ky publikim dhe ngjarje është bërë e mundur nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), të udhëhequr nga një konsorcium i Swisscontact si partner udhëheqës, Instituti Riinvest dhe PEM Consult dhe i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Zyrës së Bashkëpunimit në Kosovë.

     Raporti është në dispozicion në anglisht, shqip dhe serbisht në: Kush kujdeset? Kërkesat, ofertat dhe opsionet për rritjen e mundësive të kujdesit të fëmijëve në Kosovë