Vrasjet e fundit në Kosovë dëshmojnë se armët ilegale janë të përhapura dhe po rrezikojnë jetën e qytetarëve çdo ditë, duke shkaktuar pasiguri në shoqërinë kosovare. Armëmbajtja pa leje paraqet një kërcënim të madh për sigurinë e shoqërisë sonë, veçanërisht për jetën e grave.
Rrjeti i Grave të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për rritjen e rasteve të vrasjeve dhe dhunës ndaj grave, ku shpeshherë armët ilegale janë të përfshira. Vrasjet e grave, të cilat ndodhin kryesisht si pasojë e përdorimit të armëve të paligjshme, janë një problem serioz që kërkojnë veprim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse. Aktet e dhunës dhe vrasjet që lidhen me armët pa leje pasqyrojnë paaftësinë e shtetit për të garantuar sigurinë dhe drejtësinë për qytetarët, sidomos për gratë.
Kërkojmë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për konfiskimin e armëve të paligjshme dhe për ndëshkimin e atyre që i posedojnë ato. Zbatimi rigoroz i Ligjit për armët, duke përfshirë rregullat për rrezikun ndaj rendit dhe sigurisë publike, si dhe kontrollin për aftësitë psiko-fizike dhe vepruese të individëve që kërkojnë armë, duhet të jetë i pakompromis. Po ashtu, kontrollimi i tregut të zi të trafikimit të armëve është po aq i domosdoshëm.
Kjo kërkesë është urgjente dhe e domosdoshme për të siguruar një shoqëri të sigurt dhe të drejtë për të gjithë, dhe sidomos për gratë, të cilat shpesh janë viktima të këtij fenomeni. Ne, si Rrjet i Grave të Kosovës, kërkojmë veprime të menjëhershme nga ana e institucioneve për të parandaluar këtë fenomen të rrezikshëm, i cili po merr jetën e qytetarëve tanë. Siguria e qytetarëve, veçanërisht e grave, është një e drejtë themelore që duhet mbrojtur me çdo kusht.
Ky është një detyrim për institucionet tona, të cilat duhet të sigurojnë që çdo individ të jetojë në një mjedis të sigurt dhe pa dhunë. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për drejtësi dhe siguri për të gjitha gratë dhe qytetarët e Kosovës.