Reflektim mbi Shpenzimet për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Kornizën Financiare Shumëvjeçare të BE-së nga një Perspektivë e Barazisë Gjinore dhe Buxhetimit Gjinor

Rrjeti Mbikëqyrës i Buxhetimit Gjinor (RrMBGj), së bashku me Lobin Europian të Grave (LEG) dhe Rrjetin Europian të Buxhetimit Gjinor (RrEBGj), organizuan webinarin “Siguria për kë?”, për të reflektuar mbi prioritetet në ndryshim të BE-së në Kornizën e saj të re Financiare Shumëvjeçare (MFF). I moderuar nga Nicole Farnsworth, Zëvendësdrejtore dhe Udhëheqëse e Hulumtimeve në Rrjetin e Grave të Kosovës, ky takim mblodhi akademike feministe, eksperte politike dhe aktorë të shoqërisë civile për të eksploruar nëse barazia gjinore dhe buxhetimi i përgjegjshëm gjinor mund të integrohen në mënyrë kuptimplote në rritjen e shpenzimeve për mbrojtje dhe siguri të BE-së.

Folëset ngritën shqetësime serioze se MFF-ja e propozuar mungojnë objektiva të barazisë gjinore në shumicën e programeve. Siç theksoi Elisabeth Klatzer (RrEBGj): “MFF-ja e re fut fleksibilitet dhe monitorimin e performancës, por mungojnë objektiva të qarta për barazinë gjinore duke e lënë barazinë gjinore në rrezik të lartë të anashkalimit në financim.” Po ashtu, Anna Elomäki (Universiteti i Tamperes) theksoi se “Shpenzimet e dedikuara për mbrojtje dhe siguri pritet të rriten në rreth 235 miliardë euro, pesëfish i niveleve aktuale, ndërsa po tkurren fondet për njerëzit dhe objektivat sociale.”

Diskutimi nxori në pah shqetësimin e përhapur se prioritetet e financimit të BE-së po përforcojnë sektorët tradicionalë të dominuar nga meshkujt, duke lënë pas dore sigurinë sociale dhe njerëzore. Aurelie Buytaert (Zyra Ndërlidhëse Evropiane për Ndërtimin e Paqes) paralajmëroi se “Nëse BE-ja e thellon rolin e saj në mbrojtje, duhet gjithashtu të forcojë qeverisjen duke e përafruar shpenzimin me kriteret e eksportit të armëve dhe strategjitë gjinore, në mënyrë që të mos minohet ndërtimi i paqes dhe asistencën zyrtare për zhvillim” Hanna L. Mühlenhoff (Universiteti i Amsterdamit) shtoi se “Në një klimë të gatishmërisë për luftë, integrimi teknik gjinor rrezikon të bëhet një justifikim formal; eministet duhet të sfidojnë axhendën më të gjerë të vetë militarizimit.”

Nga perspektiva institucionale, Sari Kouvo (Universiteti i Gothenburg-ut) theksoi se “Integrimi i barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut në politikën e sigurisë së BE-së kërkon pika strategjike, gjuhë të qartë, objektiva dhe tregues që mund të kthehen në veprime konkrete.” Ndërkohë, Anastasia Mondeser (Gender Associations) rikujtoi se “Mbrojtja nuk është një hapësirë neutrale gjinore; buxhetimi gjinor mund të aplikohet përmes anekseve, objektivave dhe mekanizmave të mbikëqyrjes nëse institucionet angazhohen për llogaridhënie.”

Duke iu referuar financimit të jashtëm, Laura Guthrie (CONCORD) paralajmëroi se “Pa objektiva të detyrueshme si treguesi gjinor 85% në veprimin e jashtëm, barazia gjinore bëhet opsionale dhe lehtësisht zëvendësohet nga interesat afatshkurtra.” Nela Porobić Isaković (Lidhja Ndërkombëtare e Grave për Paqe dhe Liri) argumentoi se “Zhvendosja e fondeve drejt militarizimit dobëson infrastrukturën sociale dhe kujdesin; përparësia jonë duhet të jetë siguria njerëzore, jo armatosja e një sistemi që tregton me vdekjen.” Duke përmbyllur diskutimin, Mary Collins (EWL) theksoi se “Siguria duhet të nënkuptojë liri nga dhuna, pjesëmarrje të barabartë dhe besim në institucionet publike, buxhetet duhet të pasqyrojnë këto vlera, dhe gratë duhet të jenë në tryezën e vendimmarrjes.”

Në mbyllje të webinar-it, Nicole Farnsworth theksoi rëndësinë e ndërtimit të një koalicioni të përbashkët feminist për të avokuar në mënyrë kolektive për paqe, barazi dhe llogaridhënie në të gjitha proceset buxhetore të BE-së.

Gjatë webinarit, RrEBG dhe RrMBGj njoftuan për një dokument të ri politikash me titull “Vendosja e Barazisë Gjinore dhe të Drejtave të Grave në Thelb të Buxhetit të radhës të BE-së (MFF 2028–2034)”, që mund të përdoret nga një koalicion i larmishëm dhe shumëdimensional për të avokuar së bashku për një MFF më të ndjeshme ndaj gjinisë. Mund ta lexoni dokumentin e politikave këtu.

Ky webinar u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Suedia përmes RrMBGj.

Shiko webinarin këtu.