Rikthimi i kontaktit me fëmijën përmes ndihmës juridike 

Për gratë që kanë përjetuar dhunë në familje, sfidat shpesh vazhdojnë edhe pas raportimit të dhunës dhe largimit nga marrëdhënia abuzuese. Përveç sigurisë, ato mund të përballen me çështje të rëndësishme juridike, përfshirë zgjidhjen e martesës, kujdesin prindëror dhe realizimin e kontaktit me fëmijët. Këto sfida mund të bëhen edhe më komplekse kur rastet përfshijnë më shumë se një juridiksion.  

Një rast i tillë u trajtua nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe  Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), e cila ofroi mbështetje juridike për një të mbijetuar të dhunës fizike dhe psikologjike në familje. Pas raportimit të dhunës, kontakti i të mbijetuarës me fëmijën e saj ishte ndërprerë dhe për rreth një vit ajo nuk kishte mundësi ta takonte apo të komunikonte me të. Në vitin 2025, ajo iu drejtua IKD-së për ndihmë juridike.  

Pas pranimit të rastit, QNJ-IKD vlerësoi nevojat juridike të të mbijetuarës dhe ndërmori hapa konkretë për adresimin e çështjes së kontaktit me fëmijën. IKD përgatiti dhe paraqiti në Qendrën për Punë Sociale kërkesë për mundësimin e kontaktit ndërmjet nënës dhe fëmijës. Përmes komunikimit dhe koordinimit me institucionin përgjegjës, QNJ-IKD e mbështeti të mbijetuarën në ndjekjen e kërkesës dhe në adresimin e pengesave që kishin pamundësuar kontaktin me fëmijën. Si rezultat i kësaj ndërhyrjeje, asaj iu mundësua të takonte dhe të komunikonte sërish me fëmijën pas rreth një viti ndërprerjeje.  

Mbështetja e QNJ-IKD-së nuk u kufizua vetëm në çështjen e kontaktit me fëmijën. OJQ-ja vazhdoi të ofrojë ndihmë juridike edhe gjatë procedurës së shkurorëzimit, duke përgatitur parashtresat e nevojshme dhe duke e ndihmuar të mbijetuarën të ndiqte hapat proceduralë. Përmes QNJ-IKD-së, asaj iu sigurua edhe përfaqësim juridik me caktimin e një avokati. Gjatë procedurës u përgatit edhe kundërpadia dhe u ndërmorën veprimet e nevojshme për përfaqësimin e interesave të saj deri në përfundimin e procedurës. Procedura e shkurorëzimit përfundoi me vendim gjyqësor.  

Për të mbijetuarën, mbështetja e marrë përmes QNJ-IKD-së adresoi dy çështje me rëndësi të drejtpërdrejtë për jetën e saj pas përjetimit të dhunës: mundësimin e kontaktit me fëmijën dhe përfundimin e martesës përmes procedurës gjyqësore. Ndërhyrja juridike i mundësoi asaj të mos përballej e vetme me procedurat dhe institucionet, por të kishte mbështetje gjatë paraqitjes së kërkesave, përgatitjes së dokumentacionit dhe ndjekjes së procedurave përkatëse.  

Ky rast tregon rëndësinë e ndihmës juridike të qasshme dhe të vazhdueshme për gratë që kanë përjetuar dhunë. Mbështetja nga organizatat e shoqërisë civile mund të jetë thelbësore jo vetëm për adresimin e rastit të dhunës, por edhe për trajtimin e pasojave që vazhdojnë pas saj. Përmes ndërhyrjes juridike, përfaqësimit dhe bashkëpunimit me institucionet, QNJ-IKD kontribuoi që e mbijetuara të rivendoste kontaktin me fëmijën e saj dhe të përfundonte procedurën e shkurorëzimit, duke bërë të mundur ushtrimin më efektiv të të drejtave të saj.  

Ky aktivitet u realizua në partneritet të ngushtë ndërmjet Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e East West Management Institute (EWMI).