Rogova dorëzon pozitën, por jo pishtarin – Farnsworth Drejtorja e re e RrGK-së 

Të shtunën, më 5 shtator, në Hotel Sirius në Prishtinë u mbajt Mbledhja e Anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ku, mes tjerash, Igballe Rogova, Igo, njoftoi zyrtarisht për përfundimin e mandatit si Drejtore, ndërsa u prezantua edhe drejtorja e re e RrGK-së, Nicole Farnsworth. 

Rogova, aktiviste e njohur për të drejtat e grave dhe një nga figurat themeluese të RrGK-së, ia dorëzoi drejtimin e organizatës një brezi të ri udhëheqësesh, por jo atë që e quajti “pishtari” i aktivizmit. 

Në fjalën para anëtareve, ajo e nisi rrëfimin duke u kthyer pas në fillimet e aktivizmit të saj dhe te gruaja që, siç tha, ia ndezi për herë të parë pishtarin. 

“Fillimisht, këtë pishtar ma ka ndezur motra ime Safete Rogova. Ishim në kohën e okupimit dhe ajo më tha: ‘Hajde, ju mësojmë si ta ndajmë pishtarin e dritës me të gjitha këto gra’.” 

Për Igon, tri shtylla e kanë mbajtur gjallë këtë rrugëtim ndër vite: solidariteti, respekti dhe dashuria. 

“Këto na dhanë energji të vazhdonim tutje”, tha ajo. 

Në rrëfimin e saj, ajo kujtoi edhe anëtaret dhe stafin që ndër vite e kanë ndërtuar dhe mbajtur organizatën. 

“Me krenarinë më të madhe e them sot: jam aq e lumtur që po e lë Rrjetin edhe më të fuqishëm, falë punës dhe përkushtimit që ka bërë menaxhmenti dhe stafi”. 

Ajo tha se ndihet krenare që po e dorëzon drejtimin në këtë mënyrë. 

“Po e dorëzoj postin, por jo pishtarin”. 

Në fjalën e saj, Rogova iu referua edhe ndarjes nga jeta të Gloria Steinem rishtazi, ikonës amerikane të feminizmit, dhe e lidhi mesazhin me metaforën që e kishte shoqëruar gjatë gjithë rrëfimit. 

Ajo kujtoi fjalët e Steinemit për pishtarin dhe për nevojën që secila grua ta mbajë dhe ta ndezë dritën e të tjerave. 

“Të dashura motra, unë sot po e dorëzoj postin, por jo pishtarin. Siç e mban sot edhe motra ime, bashkë do ta mbajmë dhe do ta ndriçojmë tërë Kosovën, sepse ka nevojë”. 

Në këtë moment, simbolika u bë edhe më e fortë: një pozitë mund të dorëzohet, por një kauzë nuk dorëzohet. 

Në të njëjtën frymë, Steinem ka thënë: 

“Dikush më pyet tani nëse po ia kaloj pishtarin dikujt tjetër. Unë gjithmonë shpjegoj se jo, po e mbaj pishtarin tim, faleminderit shumë. Dhe po e përdor atë për të ndezur pishtarët e të tjerave”. 

Farnsworth, tha se “Së bashku jemi më të forta”. 

Duke iu drejtuar anëtareve të RrGK-së, Farnsworth tha se ndihet e nderuar për besimin e dhënë. 

“Për mua është një nder i madh që më keni zgjedhur t’ju shërbej”, tha ajo. 

Ajo theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe të punës së përbashkët për të përballuar sfidat që mund të dalin përpara. 

“Mund të përballemi rrugës me pengesa, por unë vërtet besoj që së bashku dhe në solidaritet do të vazhdojmë përpara”, tha ajo. 

Farnsworth theksoni rëndësinë që punët t’i vazhdojmë bashkë me anëtare. 

“Mezi presim të vazhdojmë të punojmë ngushtë me ju për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave. Sikurse e dini, së bashku jemi më të forta!”. 

Kryetarja e Bordit të RrGK-së, Nermin Mahmuti, tha se ky moment shënon një ndryshim të rëndësishëm, por edhe dëshmon vazhdimësinë e punës së organizatës. 

“Sot fokusi do të jetë te Igo. E mira është që, në këtë situatë sfiduese, Rrjeti po vazhdon dhe po vazhdon fuqishëm. Ju jeni të fuqishme, aktiviste edhe tutje”, tha ajo. 

Mahmuti kujtoi edhe një moment të rëndësishëm për Rogovën: në mars të vitit 2026, ajo u nderua me Medaljen Presidenciale. 

“Igo jonë e dashur është nderuar me Medaljen Presidenciale. Ajo është më e madhja që dikush mund ta marrë gjatë jetës për kontributin që ka dhënë. Igo e ka merituar, në fuqizimin e grave. Është zë që ka ndryshuar politika, ka çuar përpara procese. Faleminderit, Igo”. 

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj ndër vite, anëtaret e RrGK-së i dhuruan Rogovës një pikturë të punuar nga Iliriana Loxha Basha, me portretin e saj. 

Belgjyzare Muharremi, anëtare nderi e RrGK-së, tha se dhurata ishte shumë më tepër se një vepër arti. 

“Po të dhurojmë një simbol të rrugëtimit tënd, përkushtimit tënd dhe të gjurmës së pashlyeshme që ke lënë në jetën e mijëra grave”, tha ajo. 

Gjatë mbledhjes, anëtaret ndanë kujtime dhe shprehën mirënjohje për Rogovën, duke folur për ndikimin e saj në lëvizjen e grave dhe në organizatat që ndër vite kanë qenë pjesë e Rrjetit. Ato po ashtu konfirmuan unanimisht mbështetjen për zgjedhjen e drejtores së re.