Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, vizitoi Universitetin Amerikan në Kosovë, RIT Kosovo, ku ndau historinë e saj të jashtëzakonshme të rezistencës civile dhe feminizmit. Në një takim të organizuar me studentët dhe stafin e universitetit, Rogova rrëfeu sfidat që gratë përballuan gjatë viteve të ’90-ta, duke theksuar guximin dhe këmbënguljen që kërkohej për të avokuar për ndryshim në një periudhë të vështirë për Kosovën.
“Si bashkëthemeluese e organizatës së parë të grave në Kosovë, Motrat Qiriazi, Igo ka qenë një pioniere në fuqizimin e grave dhe zhvillimin e komunitetit”, shkroi universiteti amerikan, duke vlerësuar ndikimin e saj të madh në avancimin e të drejtave të grave.
Gjatë fjalimit të saj, Rogova ndau momente kyçe të rezistencës civile dhe rolin e grave në krijimin e hapësirave për barazi, si atëherë, ashtu edhe sot. Ajo frymëzoi studentët duke theksuar rëndësinë e përfshirjes aktive në procese transformuese për një shoqëri më të drejtë.
“Faleminderit, Igo, që frymëzove gjeneratën e ardhshme të liderëve në RIT Kosova!”, përfundoi universiteti mesazhin e falënderimit.