Takimi i parë vjetor i Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile i NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, po mbahet në Bruksel nga data 17-18 Tetor, ku Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) po merr pjesë si anëtare e Grupit Kryesor.
NATO dhe partnerët e saj e njohin rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në promovimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në promovimin e fuqizimit të grave dhe vajzave si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Përmes Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, NATO dëshiron që në mënyrë sistematike, me njohuritë dhe ekspertizën e shoqërisë civile, të përfitojë nga kontributi i tyre në mënyrë që të zhvilloj më tutje agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Përmes këtij takimi, NATO synon të siguroj dhe të forcojë një dialog me akterët e shoqërisë civile i cili do të vazhdoj të kontribuoj në çështjet e ngritura në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve dhe misioneve të udhëhequra nga NATO. Përfaqësuesja Speciale e NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Ambasadorja Marriët Schuurman, ka inicuar dhe udhëhequr iniciativën për krijimin e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile, si dhe është bashkëbiseduesja kryesore në NATO.
Përzgjedhja e Rogovës është bazuar në rekomandimet e marra nga kombet dhe organizatat ndërkombëtare. Anëtarësimi është i caktuar për një periudhë kohore prej dy viteve dhe mund të ripërtrihet. Paneli Këshillues i Shoqërisë Civile përbëhet nga dy grupe, Grupi Kryesor i personave të shoqërisë civile që marrin pjesë personalisht dhe Grupi i OJQ-ve ku secila përzgjedh një person për të përfaqësuar atë OJQ në Panel. Takimi i dytë pritet të mbahet në Maj të vitit 2017, në mënyrë që të kontribuoj në dialogun para ndryshimeve të politikave dhe planit të veprimit të NATO-s për 1325 që do të bëhen në vitin 2018.
Shpeshherë, Rogova është thirrur si nismëtare në punën e saj avokuese mbi RKSOKB 1325. Që nga kalimi i Rezolutës na vitin 2000, Rogova e ka përdorur atë në avokimin për të drejtat e grave për pjesëmarrje në procese vendim-marrëse, fillimisht në fazën e pas luftës. Ajo ka shty përpara draftimin e një raporti me ndikim të madh për NATO dhe akterë të tjerë titulluar Fakte dhe Fabula 1325, lidhur me zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Ajo ka qenë plotësisht e përfshirë në përkrahjen e themelimit të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale e udhëhequr nga ish Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga; në avokimin për drejtësi për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës; dhe në komisionet rajonale lidhur me të vërtetën dhe pajtimin për këtë qështje. Rogova gjithashtu ka avokuar dhe më pas ka marrë pjesë në draftimin e Planit Kombëtar të Veprimit të Kosovës për zbatimin e Rezolutës 1325.
Së fundmi, Rogova ka qenë anëtare e Grupit të Ekspertëve Këshillues të Nivelit të Lartë për Studimin e zbatimit të RKSOKB 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Gjatë 15 viteve të fundit, Rogova ka ndarë njohuritë dhe përvojën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme drejt zbatimit të Rezolutës së bashku me shumë ushtarakë dhe aktivistë të shoqërisë civile nga vende të pas konfliktit apo në konflikt.