Rogova mori pjesë në Takimin e Dytë Vjetor të Panelit Këshillues të NATO-s mbi Rezolutën 1325

 Nga 1 – 3 tetor 2017, në Bruksel u mbajt Takimi i Dytë Vjetor i Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile (PKShC) i NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) mori pjesë si anëtare e Grupit Kryesor.

Përmes këtij takimi, NATO synoi të sigurojë dhe të forcojë një dialog me akterët e shoqërisë civile i cili do të vazhdoj të kontribuoj në çështjet e ngritura në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me ç’rast PKShC gjatë këtyre ditëve punoi në hartimin e kornizës strategjike, rekomandimet dhe planin e punës për operacionet dhe misionet e udhëhequra nga NATO në të ardhmen.
Rogova ndau përvojën gjatë punës avokuese mbi Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (RKSOKB) 1325. “Që nga kalimi i Rezolutës na vitin 2000, ne e kemi përdorur atë në avokimin për të drejtat e grave për pjesëmarrje në procese vendim-marrëse. Ne kemi shtyrë përpara draftimin e një raporti me ndikim të madh për NATO dhe akterë të tjerë Fakte dhe Fabula 1325, lidhur me zbatimin e Rezolutës 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.”
Në ditën e dytë të këtij takimi vjetor, Zëvendës Sekretarja e Përgjithëshme e NATO-s, znj. Rose Gotemoeller, dëgjoi drejtpërdrejt rekomandimet e panelit këshillues. 
NATO dhe partnerët e saj e njohin rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në promovimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në promovimin e fuqizimit të grave dhe vajzave si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Përmes Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, NATO dëshiron që në mënyrë sistematike, me njohuritë dhe ekspertizën e shoqërisë civile, të përfitojë nga kontributi i tyre në mënyrë që të zhvilloj më tutje agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Me ftesë të Ambasadores Marriët Schuurman, Përfaqësuese Speciale e NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Rogova është anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile i NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili është krijuar gjatë vitit 2016.