Rogova rizgjedhet anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile ne NATO

Paneli Këshillues i Shoqërisë Civile i NATO-s (PKShC) për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e ka ftuar Drejtoren Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova, që t’i ribashkohet këtij paneli prestigjioz.

Ftesa vjen pesë vjet pas përfundimit të mandatit të parë të Rogovës si anëtare e Panelit, konkretisht nga viti 2016 deri në vitin 2018, kur edhe u themelua për herë të parë PKShC.

Ftesa dëshmon njohjen ndërkombëtare që i bëhet ekspertizës dhe përvojës së gjerë të Rogovës lidhur me agjendën Gratë, Paqja dhe Siguria, si dhe kontributin e çmueshëm të saj në përkrahjen e NATO-s për të përmirësuar zbatimin e kësaj agjende.

Rogova përmes këtij paneli këshillues do të këshillojë NATO-n për operacionet e saj në botë duke u bazuar në përvojën e saj prej më shumë se dy dekadash në monitorimin e zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Mandati i ri i Panelit fillon në vitin 2023 dhe zgjat deri në vitin 2026. Takimi i parë u zhvillua sot, më 18 dhjetor, nëpërmjet platformës Zoom ndërsa takimi i dyte organizohet në selinë e NATO’s në Bruksel në janar të vitit që vjen.

Në mandatin e kaluar, Rogova pat ngritur disa çështje kyçe në këtë panel dhe mezi pret që të vazhdojë me kontributin e saj përsëri.