“Kemi probleme me fonde”, “nuk kemi zyre për të vepruar”, “nuk e kemi përkrahjen e mjaftueshme” – janë vetëm disa nga përgjigjet që kanë treguar nga organizata joqeveritare kur pyeten se pse nuk janë më aktive.
Me probleme të njëjta po ballafaqohen edhe organizata të tjera që ende zhvillojnë aktivitete në bazë të mundësive që i kanë, e të cilat thonë se vetën po e shohin veten drejt mbylljes, ndonëse kjo nuk është ajo se çfarë dëshirojnë.
Disa nga këto OJQ që fusha në të cilën veprojnë janë të drejtat e grave dhe fuqizimi i barazisë gjinore, gjatë 2022-ës kanë pasur përkrahjen nga shteti.
Mirëpo, për këtë vit OJQ-të në fjalë janë ende në pritje që të filloj subvencionimi, ndonëse edhe gjatë këtyre muajve janë ndarë mjete për to. Ky proces i subvencionimit të OJQ-vë, sipas Ministrisë së Drejtësisë pritet që të fillojë nga muaji maj, shkruan në një hulumtim Kallxo.com.
Sigurimi i fondeve– sfida kryesore e OJQ-ve.
Janë afër 200 organizata joqeveritare të cila avokojnë në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë, e të cilat ballafaqohen me mungesë të mjeteve financiare për të ushtruar veprimtarinë e tyre.
Mungesa e përkrahjes financiare për këto organizata është një sfidë për ta përmbushur misionin e tyre.
Shemsie Seferi, drejtuese e “Shoqatës për Emancipimin e Femrës – Alma” në Pejë thotë se mungesa e fondeve po rrezikon mbylljen e kësaj organizate. Ajo thotë se Organizata që ajo drejton aktualisht nuk është plotësisht aktive për shkak të problemeve me të cilat po ballafaqohen.
“OJQ nuk është plotësisht aktive, po për momentin kemi problem me zyre. Nuk kemi fonde për me pagu qira” – shprehet Seferi“.
Çështjet e fondeve munden me ndiku që me u mbyllë organizata, qysh jo” – shton tutje ajo. Tejkalimi i probleme që kjo organizatë ka, Seferi thotë se kanë vetëm një zgjidhje, fondet e mjaftueshme. Madje e njëjta shton se kjo nuk vlen vetëm për organizatën që ajo drejton, por për secilën organizatë tjetër joqeveritare që pikësynim ka fuqizimin e barazisë gjinore.
“Për me pas OJQ-në që me vazhdu me qenë aktive duhet vetëm një përkrahje financiare e qëndrueshme” – tha Seferi.
Me një problem tjetër që ajo thotë se janë duke ‘luftuar’ është edhe çështja që projektet, sipas saj, zakonisht po fitohen nga OJQ-të e mëdha. Kjo sipas Seferit po i lë nën hije OJQ-të lokale e pak më të vogla.
“Nuk kemi fitu ende asnjë projekt tash e një kohë, kemi zhvillu gjatë kësaj kohe aktivitet vullnetare duke bashkëpunuar me Kryqin e Kuq e me të tjerë. Na kanë ngulfat OJQ-të e mëdha, shumë e thjeshtë, derisa OJQ-të e mëdha vazhdojnë me i marr të gjitha fondet, ne problem që mundemi me punu lehtë” – tregon Seferi.
E njëjta thotë se ndonëse nuk kanë fonde prapë vazhdojnë punën e tyre brenda mundësive që iu ofrohen.Organizata joqeveritare “4 Change” ka tash e disa vite që më nuk është aktive. Kjo organizatë që fushë-veprimtari e saj kanë qenë fuqizimi i të drejtave të barabarta u mbyllë për shkak të problemeve që kishin në financim, dhe jo vetëm.
Alba Hajdini, që drejtonte këtë OJQ që vepronte në Prishtinë, thotë se një ndër çështjet kryesore që e ka sjellë organizatën deri tek mbyllja lidhet edhe me fondet e pamjaftueshme.
“Financa nuk kemi pas shumë, kjo ka ndiku që kur nuk ke kohë shumë me u marr me një OJQ me u marr me të si primare mandej të pakësohen edhe mundësitë edhe kushtet” – thotë Hajdini. Ajo tutje shton se paratë nuk kanë qenë problemi i vetëm, koha që duhej t’ia kushtonin organizatës ka bërë që kjo OJQ të mos jetë më aktive.
“Tani është që edhe anëtaret nuk kanë pas shumë kohë, nuk ka qenë primare për ne OJQ” – shprehet tutje ajo.
Hajdini ka ende shpresa që në një të ardhme të rihapet prapë organizata dhe të vazhdojnë me aktivitetet e tyre, përderisa tregon se gjatë kohës që kanë qenë aktive nuk kanë kërkuar përkrahje nga institucionet.
“Të ardhmes nuk i dihet, ndoshta në të ardhmen edhe mund të hapet prapë organizata. Nuk është që kemi kërkuar përkrahje nga institucionet, se ndoshta edhe kishim marr diçka” – shprehet Hajdini.
Edhe organizata joqeveritare “Bliri”, që drejtohet nga Mahije Smajli në Drenas, që është aktive nga viti 2010 ka filluar të ketë probleme me fonde.Misioni i kësaj organizate është që të kontribuoj drejtë emancipimit të grave dhe vajzave të të gjitha komuniteteve me qëllim të fuqizimit të tyre për edukimin shëndetësor dhe sa më cilësorë.
Qëllim i “Blirit” është edhe ngritja e rolit të grave në parandalimin e sëmundjeve në familje si dhe shoqëri, ngritja e vetëdijes në lidhje me ruajtjen e shëndetit si dhe realizimi i programeve konkrete tek gratë për një qasje më të mirë dhe më kualitative në shëndetin e tyre. Përpos problemit të fondeve të pamjaftueshme, organizata në fjalë tregon se po ballafaqohen edhe me problemin e mungesës së një zyreve.
“OJQ është aktive ende. Një nga sfidat kryesore që aktualisht kemi është problemi i zyrës, jemi në kushte të vështira sa i përket zyrës” – ka thënë për KALLXO.com drejtoresha e organizatës.
Ajo tregon se aktivitetet e tyre zakonisht zhvillohen në fshatra, në pjesë rurale, e kjo po bën që përpos fondeve e problemit të zyrës të shtohet edhe problemi i transportit.
Samjli shton se ka pasur disa herë kërkesa në institucione lokale që të kenë pak ndihmë lidhur me transportin, mirëpo sipas saj ende nuk kanë gjetur një zgjidhje.
“Besoj që nëse kishim pas financim të mjaftueshëm nuk kishim pas probleme as me zyre as me transport, jemi në pritje për me marr ndonjë projekt për me bë zgjidhje pastaj” – thotë ajo.
Smajli tregon se ka vërejtur që me po të njëjtat probleme po ballafaqohen edhe organizata e tjera që kanë qëllim të njëjtë si organizata që ajo drejton.
“Në takimet, në aktivitetet që i kemi në bashkëpunim me OJQ-të tjera po vërehet që ka fillu me pas mbyllje të këtyre organizatave, më herët ka pas ma shumë” – tregon Samjli.
“Po mbyllen se nuk po respektohen, nuk po përkrahen sa duhet, nuk po ka mjete të mjaftueshme, nuk ka respekt të mjaftueshëm ndaj tyre. Ka gra të zonja, punëtore, po na duhet financimi” – shton ajo tutje.
“Jemi t`u u harrnu”
Organizata tjerët që po ashtu ka tri vite që është mbyllur është “Djepi i Buzëqeshjes”.
Kjo OJQ është mbyllur po ashtu për shkak të mungesës së fondeve.“Djepi i Buzëqeshjes” ka vepruar duke bashkëpunuar me organizatën “Medica Kosova”, e mision i tyre ka qenë reduktimi i simptomave traumatike të shkaktuara nga lufta, posaçërisht tek viktimat e dhunës, si dhe integrimi i tyre në jetën sociale dhe publike.
Sipas, Veprore Shehu “Medica Kosova”, kjo organizatë po ashtu është duke pasur probleme me financim.
“Këtë vit, në shkurt na kanë përfunduar tri projekte shumë të mëdha në të njëjtën kohë, kemi mbet keq jemi t`u u “harrnu” që themi ne Gjakova për me i mbulu shpenzimet tona” – tha Shehu.
“Jemi në pritje që me marr përgjigje për aplikimet që i kemi bërë në dy projekte” – shtoi tutje ajo. E njëjta tha se kanë pasur projekt edhe me institucione qendrore, ku për pesë vite radhazi kanë marr një shumë të caktuar parash për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre. Mirëpo, edhe ky projekt ka përfunduar.
“Na ka përfundu edhe projekti edhe me institucione qendrore, për pesë vite i kemi marr nga një shumë të parave për mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Jemi në pritje të zgjatjes së afatit, tash po presim me marr përgjigje” – ka thënë ajo.
Ajo thotë se janë duke pritur që të rilicencohen, që të vazhdojnë më aplikime në projekte të tjera. Procesi i licencimit Shehu tha se është sfidë në vete.
“Është shty prej institucioneve shumë ky proces, është sfidë në vete edhe kjo se na duhet me u licencu në kohë edhe me mbërri hapin me apliku në projekte” – shtoi ajo.
Tutje Shehu tha se donacionet e huaja veçse kanë filluar që të fokusohen në vende të tjera, e që është bërë problem që të merren donacione nga jashtë. Shehu tha se ka mbetur në dorën e shtetit që të angazhohet në këtë pjesë.
Përkrahja e OJQ-ve.
1 milion euro është shuma e cila është ndarë gjatë 2022-ës për organizatat joqeveritare që mision kryesor kanë të drejtat e grave. Përderisa gjatë këtij viti, nga maji 2023 deri në shkurt mjetet që janë ndarë për mbështetje financiare për këto organizata janë rritur për 500 mijë euro, e sipas Ministrisë së Drejtësisë për periudhën e parë katër mujore të këtij vitit Qeveria ka ndarë edhe 500 mijë euro të tjera.
“Për vitin 2023, Qeveria e Kosovës, ka mbështetur subjektet juridike gjegjësisht OJQ-të, për periudhën janar-prill në vlerë prej 500 mijë eurove, ndërsa MD është në proces e sipër të mbështetjes financiare në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro për periudhë maj-dhjetor/2023-shkurt 2024” – thuhet në përgjigjet e MD-së për KALLXO.com.
Sipas këtyre përgjigjeve, Ministria e Drejtësisë në fillim të këtij viti ka përfshirë në përbërjen e saj Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale.
Ky departament deri në dhjetor të vitit 2022 është thënë se ka funksionuar në kuadër të Ministrisë së Financave. Madje, MD ka thënë se në fillim të këtij viti, në përputhje me përgjegjësitë që i takojnë kësaj Ministrie, ka hapur thirrjen për subvencionim të OJQ-ve të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për qytetarë në nevojë sociale.
Në anën tjetër, Ministria në fjalë ka treguar se në vitin që lam pas, Ministria e Financave, ka mbështetur financiarisht organizatat në vlerë prej 1 milion eurove. Sipas përgjigjeve që ka marr KALLXO.com, nga kjo shifër 400 mijë euro janë ndarë për strehimoret që janë në Kosovë, ndërsa 600 mijë të tjera për OJQ-të që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.
Të dhënat që ka ndarë ministria në fjalë, kanë treguar se nga kjo vlerë monetare në 2022 janë mbështetur 44 subjekte juridike, ku prej tyre dhjetë kanë qenë strehimore dhe 34 organizata joqeveritare të tjera.
Në anën tjetër, Rrjeti i Grave të Kosovës në vitin 2012 ka krijuar Fondin e Grave të Kosovës. Krijimi i këtij fondi ka ardhur pas zhvendosjes së prioriteteve të ndihmës dhe zvogëlimit të buxheteve që kanë detyruar shumë donatorë në Kosovë që të mbyllin programet e tyre të granteve apo të zvogëlojnë fondet për organizatat joqeveritare.
Sipas RrGK-së ky fond ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht në mesin e grupeve nga vendet rurale apo grupeve të margjinalizuara.
Ky fond i veçantë po ashtu ofron mundësi për zhvillim të kapaciteteve për organizatat përfituese, por edhe për ato vetëm aplikuese. Sipas të dhënave të Rrjetit të Grave të Kosovës, me sistemet dhe procedurat transparente, efikase, efektive dhe të vërtetuara të nën-dhënies së granteve të këtij fondi, që nga themelimi i janë administruar 197 grante për 107 Organizata të Shoqërisë Civile.
Vlera totale e këtyre granteve është gjithsej 1 milion e 11 mijë e 387 euro.