Maria Melbing nga Ambasada Suedeze dhe Arsim Aziri nga Agjencioni Austrian për Zhvillim (ADA) diskutojnë gjetjet e hulumtimit gjatë publikimit.

RrGGK dhe Alter Habitus Publikojnë raportin "Ku janë Paratë për të Drejtat e Grave?"

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe Alter Habitus – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë publikuan raportin “Ku Janë Paratë Për Të Drejtat e Grave? Studim Rasti në Kosovë”. Kjo ngjarje bashkoi më shumë se dyzet pjesëmarrës (donator, organizata jo qeveritare të grave dhe pjestarë tjerë të shoqërisë civile) për të diskutuar të gjeturat dhe rekomandimet e hulumtimit 9 mujor.
     Në prezentimin e saj, Nicole Farnsworth nga RrGGK theksoi se “organizatat për të drejtat e grave luajnë rol të rëndësishëm në përkrahjen dhe krijimin e institucioneve demokratike, avancimin e të drejtave të grave si të drejta të njeriut, ndryshimin e normave gjinore, ngritjen e vetëdijes publike, ofrimin e shërbimeve për grupet të margjinalizuara (veçanërisht kur mungon përkrahja nga shteti), dhe kërkimin e llogaridhënies nga qeveria përmes avokimit.”
     Hulumtimi ekzaminon rëndësinë e mbështetjes së organizatave të grave në proceset e ndryshimeve shoqërore; financimit të trendeve mes viteve 2000 dhe 2013; qëndrueshmërisë financiare të vendimeve për financimin (ose mos financimin) e organizatave të grave; dhe mundësive të bashkëpunimit mes organizatave të grave dhe donatorëve në krijimin e strategjive të përbashkëta për mobilizimin e burimeve dhe mekanizmave të financimit për organizatat e grave. Raporti sjell rekomandime për të gjitha grupet e interesit: për qeverinë, organizatat e grave dhe donatorët, lidhur me mënyrat më të mira për përmirësimin e sigurimit të burimeve të organizatave të grave për të drejtat e njeriut drejt avancimit të barazisë gjinore.
     Ishte pajtim unanim nga të gjithë pjesëmarrësit se një koordinim më i mirë mes donatorëve, organizatave të grave dhe qeverisë, do të ndihmonte në avancimin e të drejtave të grave. Për më tepër, Fondi i Grave të Kosovës brenda RrGGK-së, i cili kombinon grante të vogla, trajnime intensive dhe mentorim për organizata, u pa si zgjidhje potenciale për donatorët të cilët dëshirojnë t’i përkrahin ato. Derisa organizatat e vogla nuk kanë kapacitetin për të konkurruar me organizata të mëdha, ato bëjnë punë shumë të rëndësishme me grupet rurale dhe ato të margjinalizuara.
     Gjithashtu, ishte kërkesë e organizatave të grave për kontrata afat-gjatë me donatorët, sepse kjo do të iu mundësonte organizatave të zbatojnë strategji drejt një vizioni afat-gjatë. Për to, përkrahja afat-gjatë, qartazi ndikon në forcimin e lëvizjes së grave në Kosovë dhe avancimin e ndryshimeve shoqërore.
Ky hulumtim, mbështetur nga Association of Women in Development (AWID) dhe Kvinna till Kvinna, është zhvilluar në mes muajit janar dhe shtator 2013. Raporti përfshinë 40 intervista me donatorë të cilët punojnë në Kosovë, dhe pyetësorë me 90 organizata të grave.

Për më shumë informata mbi raportin dhe të gjeturat ju lutem vizitoni faqen e Rrjetit të Grupeve të Grave: http://www.womensnetwork.org/documents/20131120160749318.pdf.