RrGGK dhe LBGj dënojnë rëndë kërcënimin me jetë të Znj. Kusari Lila

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (LBGj) dënojnë rëndë kërcënimin me jetë të Znj. Mimoza Kusari Lila, Kryetare e Komunës së Gjakovës.
 
Sipas deklarimeve të saj, ky kërcënim ka ndodhur dy muaj më parë. Atentati për vdekje i cili nuk i është bërë drejtpërdrejtë Znj. Kusari Lila, është kuptuar nga Policia e Republikës së Kosovës, fillimisht përmes organeve të rendit të Republikës së Shqipërisë. Policia e Republikës së Kosovës, e cila menjëherë ka informuar Znj. Kusari Lila që është cak i një atentati të mundshëm, ka hapur rastin për hetim.
 
Edhe dy muaj më pas, Policia e Republikës së Kosovës është ende duke hetuar rastin. Duke mos pasur rezultate konkrete publike të këtij hetimi, jeta e Znj. Kusari Lila vazhdon të mbetet në rrezik.
“Porositësit zyrtarisht nuk dihen, por ndërmjetësitë po. Për hirë të hetimeve duhet ta kufizoj veten nga dhënia e ndonjë informacioni shtesë”, ka deklaruar Znj. Kusari Lila për Klan Kosovën.
 
Në vitin 2014, në zgjedhjet lokale, Znj. Kusari Lila theu akullin ku u bë gruaja e parë kryetare e një komune në Kosovë, kështu duke ri-shprehur besimin e përkrahësve të barazisë gjinore se gratë mund t’ia dalin e të përzgjedhen në pozita vendim-marrëse. Ajo ka kontribuar pa rreshtur për të drejtat e grave dhe vazhdon të kryej detyrën e saj edhe këto ditë gjatë kohës që jeta e saj është në rrezik.  
 
RrGGK dhe LBGj, kërkojnë nga Institucionet e Republikës së Kosovës që janë përgjegjëse, të ndërmarrin masat e duhura në zgjidhjen e këtij rasti si dhe të parandalojnë që raste të tilla të ndodhin në të ardhmen. Këto kërcënime janë të papranueshme jo vetëm për Znj. Mimoza Kusari Lila, por për çdo qytetar të Republikës së Kosovës.