RrGGK dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë kërkojnë zbardhjen e rastit të gjetjes së trupit të pajetë të Donjeta Pajazitit, dhe solidarizohen me familjen e saj dhe me qytetarët e Deçanit
Sot, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti Kuvendin Vjetor të 13-të të Anëtareve të saj.
Për RrGGK-në, kjo është koha më e rëndësishme e vitit kur RrGGK fton të gjitha organizatat anëtare, anëtarët individual, partnerët, miqtë, kolegët, përfaqësuesit e mediave dhe përkrahësit, që t’i bashkangjiten në Kuvendin Vjetor të Anëtareve. Është koha kur RrGGK prezanton për anëtaret dhe të gjitha palët e interesit, suksesin drejt implementimit të Strategjisë 2015-2018, duke u fokusuar në aktivitetet gjatë vitit 2015. Mbi të gjitha, RrGGK shfrytëzon këtë kohë për reflektim (dhe vlerësim), për festim, dhe për mirënjohje të atyre që kanë dhënë kontribut thelbësor drejt avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë dhe jashtë saj.
Kuvendin Vjetor të Anëtareve të RrGGK e nderoi me praninë e saj, Shkëlqësia e saj, zn. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës. Të pranishëm në këtë Kuvend ishin edhe përfaqësuesit e disa prej organizatave përkrahëse të RrGGK për vitin 2015, përfshirë përfaqësuesit e Zyres së Bashkimit Evropian në Kosovë, të Austrian Development Agency, si dhe të organizatës suedeze Kvinna till Kvinna.
Raporti për punën e RrGGK-së gjatë vitit 2015, në Kuvendin Vjetor të Anëtareve të RrGGK, u fokusua në rezultatet e RrGGK në përmubshjen e Strategjisë 2015-2018 në pesë fushat programatike të saj.
Një vend të rëndësishëm në agjendën e Kuvendit Vjetor të anëtareve të RrGGK zuri edhe ndarja e mirënjohjeve për personat që kanë shënuar arritje jetësore apo për ata që kanë përkrahur RrGGK-në në rrugëtimin e vet, përfshirë mirënjohjet për:
Kontributin e dhënë për të drejtat e grave dhe vajzave të Kosovës, gjatë gjithë mandatit të saj, që iu nda Shkëlqësisë së saj, Zn. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës.
Guximin dhe veprat të cilat kanë motivuar dhe fuqizuar vajzat dhe gratë në Kosovë, që iu nda artisteve të njohura Nexhmije Pagarusha, Leze Qena dhe Safete Rogova.
Kontributin e dhënë në realizimin e fushatës “One Billion Rising” dhe “Take Back the Night”, si dhe në aktivitete të tjera të RrGGK-së, që u ndanë për Oda Haliti, Nesim Maxhuni, Fatos Mehmeti, Rita Parashumti, Orgesa Arifi dhe Erëblina Elezaj.
Gjatë Kuvendit Vjetor të 13-të të Anëtareve të RrGGK, njëra nga pjesëmarrëset nga Komuna e Deçanit, ngriti shqetësimin për rastin e gjetjes së trupit të pajetë të Donjeta Pajazitit, 24 vjeçare nga fshati Strellc i Deçanit. Edhepse policia ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare që vërteton shkaktarin e vdekjes së saj, sipas burimeve tona, trupi i pajetë është gjendur me shenja përdhunimi. Andaj, përfaqësueset e organizatave anëtare të RrGGK-së dhe të Lobit për Barazi Gjinore (LBGj) në Kosovë, shprehin shqetësimin e tyre lidhur me këto dyshime dhe nëse ato vërtetohen, dënojnë rëndë këtë akt makabër.
RrGGK dhe LBGj, kërkojnë nga Institucionet e Republikës së Kosovës që janë përgjegjëse, të ndërmarrin masat e duhura në zgjidhjen e këtij rasti, si dhe të bëjnë më shumë në ofrimin e sigurisë për qytetarët e Kosovës, me theks të veçantë për gratë dhe vajzat. Raste të tilla ndjellin pasiguri dhe bëjnë që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës të ndihen të kërcënuar dhe të vet-izolohen. Këto raste janë të papranueshme për çdo qytetar të Republikës së Kosovës.