RrGGK mban takimin e rregullt të anëtareve

 Me 9 nëntor 2015, u mbajt mbledhja e radhës e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), ku morrën pjesë rreth 80 përfaqësues të organizatave anëtare të RrGGK-së, Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë, donatorë, miq dhe përkrahës të RrGGK-së. 
     Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK në fjalën hyrëse të takimit iu dëshiroj mirëseardhje të pranishmëve. 
     Më pas, Belgjyzare Muharremi, Drejtore Ekzekutive e organizatës anëtare të RrGGK “Dera e Hapur”, njëherit edhe anëtare e Bordit të RrGGK-së, ndau me të pranishmit informatat lidhur me Freja Forum, që këtë vit, për herë të parë u mbajt në Kosovë, me 6-8 Nëntor 2015. Për informata më të hollësishme rreth Freja Forum 2015, ju lutem klikoni këtu
     Më tutje, zn. Rogova ndau me të pranishmet informatën e ndryshimit të llogos së RrGGK. 
     “Të rinjët në Kosovë janë vetëdijësuar dhe gjithmonë e më shpesh po e përmendin dhe përkrahin feminizmin. Prandaj, kur pamë këtë vetëdijësim, si dhe faktin se si disa organizata po bëjnë ndryshim të llogove, menduam që do të ishte mirë që edhe ne t’i kthehemi simboleve te feminizmit dhe ta ndryshojmë llogon e RrGGK-së,” u shpreh zn. Rogova. “Ne duhet të sqarojmë për qytetaret që feministët nuk i urrejnë burrat, por luftojnë për të drejta të barabarata në mes të grave dhe burrave.” 
     Gjatë takimit, zn. Rogova përcolli për të pranishmet përshëndetjet e Zv. Presidentes së Parlamentit Europian, zn. Ulrike Lunacek, e cila për shkak të agjendës së ngarkuar gjatë qëndrimit të saj në Kosovë nuk mund të ishte e pranishme në këtë mbledhje të RrGGK-së. Njëkohësisht, zn. Rogova, në emër të RrGGK-së u shpreh mirënjohëse për gjithë punën që zn. Lunacek po bën në përkrahje të Kosovës në sfera të ndryshme, përfshirë edhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian (BE). 
     Pataj fjalën e morri Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), organizatë anëtare e RrGGK-së. Zn. Rushiti ndau me të pranishmet informatat rreth pjesëmarrjes së saj në Konferencën treditore Ndërkombëtare kushtuar të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, ku morrën pjesë paneliste ndërkombëtare, njohëse të çështjeve të kësaj fushe, deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, aktiviste dhe njohëse të kësaj çështjeje nga Kosova dhe rajoni. 
    Ndërsa Iliriana Banjska, Asistente e Hulumtimit në RrGGK, njoftoi edhe një herë anëtaret e RrGGK dhe Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë, se qëllimi i këtij hulumtimi është që të informoj Ligjin e ri të Punës me të dhëna të bazuara në hulumtim lidhur me temat e pushimit të lehonisë dhe atij të atësisë. Ajo shtoi se ky hulumtim është nxitur nga një kërkesë zyrtare nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Arban Abrashi, për të dalë me rekomandime dhe nga besimi i RrGGK-së që një ligj i rëndësishëm si ky duhet të draftohet bazuar në të dhënat e qytetarëve. RrGGK po punon në këtë hulumtim që do të ketë ndikim në ndryshimin e politikave. 
     Për kontributin e dhënë, anëtaret e RrGGK dhe Lobit i falënderoi edhe zn. Rogova, duke theksuar se “kështu do të kontribuojmë në krijimin e një ligji më të mirë të punës jo vetëm për gratë, por edhe për burrat.” Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe djemve e vajzave vullnetarë që punuan në realizimin e këtij hulumtimi. 
     Më pas, fjalën e mori Nicole Farnsworth, Menaxhere e Programit në RrGGK e cila njoftoi të pranishmet mbi ecurinë e dy hulumtimeve: Hulumtimi mbi Dhunën në Familje në Kosovë dhe Hulumtimi mbi Ngacmimet Seksuale në Kosovë. 
     Në këtë kontekst, zn. Rogova edhe një herë theksoi që “RrGGK nuk është aktive vetëm gjatë ’16 ditë kundër dhunës në familje’ por synon të punojë ‘365 ditë kundër dhunës në familje’, prandaj edhe këto dy hulumtime do të publikohen njëri para e tjetri pas këtyre 16 ditëve.” 
     Më pas, mbledhja vazhdoi me informata lidhur me punën e RrGGK në fushën e Bugjetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ), të cilat për të pranishmet i shpalosi Donjeta Morina, Kordinatore për Zhvillim të Kapaciteteve në RrGGK. 
     “Në fushën e BPGJ ne po planifikojmë të bëjmë një publikim lidhur me atë se a po planifikohet dhe/ose shpenzohet në mënyrë të përgjegjshme buxheti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). E njëjta gjë do të publikohet ndaras edhe për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).” Puna e RrGGK lidhur me BPGJ përkrahet nga Austrian Development Agency dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ)
     Poashtu, Donjeta Morina informoi të pranishmit edhe për bashkëpunimin më të fundit në mes të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGj)Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Deutsche Gesellschaft fuer Zusammenarbeit (GIZ) dhe Institutit Kosovar për Administratë Publike (IKAP) kanë filluar bashkëpunimin në ri-draftimin e kurrikulës së IKAP për barazinë gjinore për nënpunësit civil. Ri-draftimi i kurrikulës është shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh që gjatë disa viteve të kaluara ka dalur një kornizë tërësisht e re ligjore dhe politike, lidhur me barazinë gjinore në Kosovë. Kjo punë përkrahet nga GIZ. 
     Më pas, zn. Rogova njoftoi të pranishmet lidhur me fushatën “UNË GUXOJ” që RrGGK e ka filluar në bashkëpunim me Lobin për Barazi Gjinore në Kosovë, dhe e përkrahur nga Ambasada Holandeze, për të promovuar kornizat ligjore të cilat i mbrojnë gratë dhe vajzat nga diskriminimi, dhuna në familje, ngacmimet seksuale, si dhe format e tjera të dhunës me bazë gjinore. “UNË GUXOJ” është edhe pjesë e Projektit për Promovimin e të Drejtave të Grave. Për më shumë informata rreth fushatës, kliko këtu
     Si anëtare e Grupit të Ekspertëve Këshillues të Nivelit të Lartë për Studimin e zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB) për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” (2000), Drejtoresha Ekzekutive e RrGGK, Igballe Rogova ka dhënë disa kontribute në këtë Studimi Botëror. 
      I kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe i drejtuar nga Radhika Coomaraswamy, Studimi Botëror është kryer për të shënuar 15 vjetorin e Rezolutës 1325 të KSKB-së.     
      Për informata më të hollësishme rreth këtij studimi, klikoni këtu. Ndërkaq, ky është verzioni i plotë në anglisht i studimit: Parandalimi i konflikteve, Transformimi i drejtësisë, Sigurimi i paqes: Studim botëror mbi Zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. 
     Informata e radhës e ndarë në këtë mbledhje ishte lidhur me përfituesit e raundit të 8-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të RrGGK-së. 
     Pas ndarjes së gjithë këtyre informatave në pjesën e dytë të mbledhjes anëtaret e RrGGK-së,  vlerësuan  punën e FGK-së.