Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), me 13 dhe 14 Nëntor, organizon FORUMIN Rajonal të Feministeve të Reja 2013. Forumi do të fokusohet tek ndikimi që kanë vajzat për çështjet aktuale vendore dhe globale. Forumi është përkrahur nga Kvinna till Kvinna (KtK).
Rreth 40 vajza nga pesë rajone të Kosovës dhe nga shtetet fqinje të rajonit, do të mblidhen në Hotel Sirius në Prishtinë, për të kaluar së bashku dy ditë produktive dhe argëtuese.
Të gjitha së bashku do të diskutojnë mbi çështjet e ngritura, aktivitetet dhe strategjitë avokuese, feminizmin, komunikimin dhe përfshirjen e vajzave në procese vendim-marrëse.
RrGGK përmes këtij Forumi synon që të ndihmojë aktivistet e reja që të kuptojnë më mirë rëndësinë e aktiviteteve avokuese drejt mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të grave dhe vajzave; të inkurajojë më shumë vajza të tjera që të bëhen pjesë e Iniciativës për Fuqizimin e Vajzave; të orientojë ato se si të përdorin më mirë aftësitë e mjetet që kanë drejt përmirësimit të aktiviteteve avokuese; si dhe të rrisin kapacitetet e tyre në përgaditjen e strategjive avokuese e planeve të aktiviteteve.
Ndërkaq, në paraditen e ditës së dytë, feministet e reja do të takohen me zyrtarë të lartë të shtetit si Presidentja e Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, si dhe përfaqësues të qeverisë, shoqërisë civile dhe mediave. Këto takime do të jenë interaktive, ku vajzat feministe do ta kenë mundësinë të ngrisin shqetësimet e tyre dhe të marrin përgjigje të mundshme.
Pas këtyre takimeve, me 14 Nëntor, në ora 15:00-16:00, RrGGK ka planifikuar një aktivitet avokues në rrugë, i cili do të jetë një mundësi për të gjitha vajzat të shohin se si planifikohet dhe organizohet një aksion i tillë. Ky aktivitet do të përcjellet nga një performancë e përgaditur nga vajzat në bashkëpunim me Artpolis dhe do të mbahet në Sheshin Nëna Terezë.
Rrjetit i Grupeve të Grave të Kosovës (RRGGK) është të përkrahë, mbrojë dhe promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave anembanë Kosovës, pa marrë parasysh bindjet e tyre politike, religjionin, moshën, nivelin e arsimimit, orientimin seksual apo aftësitë e kufizuara. RrGGK përmbush misionin e vet përmes këmbimit të përvojave dhe informatave, partneriteteve dhe rrjetëzimit, hulumtimeve, avokimit dhe ofrimit të shërbimeve. Si Rrjet i 71 organizatave të grave nga të gjitha grupet etnike në tërë Kosovën, RrGGK avokon në emër të grave kosovare në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.