Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në kuadër të projektit “Prona e paluajtshme dhe barazia gjinore” përkrahur nga PPSE Swisscontact, dhe në bashkëpunim me Qendrën për Art dhe Komunitet – ARTPOLIS, me shfaqjen e dhënë në qytetin e Pejës, ka përmbyllur suksesshëm ciklin e shfaqjeve në formë teatri të titulluar “Hisja”.
Shfaqja “Hisja” është e ndërtuar në stilin e shfaqjes Forum Teatër dhe është ofruar për shoqërinë kosovare në qendrat më të mëdha, përgjatë dy javëve, gjegjësisht në: Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë dhe Pejë.
“Hisja” ka paraqitur realitetin e ballafaqimit të grave dhe vajzave kosovare me vështirësitë e realizimit të së drejtës së tyre pronësore. Për më tepër, shfaqja ka synuar të senzibilizoj shoqërinë për të drejtat që gëzojnë gratë dhe vajzat në çështjet pronësore.
Shfaqjet janë hapur nga regjisorja Zana Hoxha-Krasniqi dhe loja e aktorëve Donikë Ahmeti, Ermal Sadiku dhe Kushtrim Qerimi, të cilët kanë transmetuar sjelljen e ‘gjyqtarëve’ në procesin e regjistrimit dhe trashëgimisë së pronës së paluajtshme, por gjithashtu kanë sjellë në kujtesë dogmat shoqërore dhe sjelljen diskrimunuese të familjes ndaj të drejtës së gruas/vajzës për të bartur të drejtën mbi pronë. Shfaqjet janë mirëpritur nga qytetarët të cilët në numër të konsiderushëm kanë përcjellur ato, madje pas shfaqjeve, diskutimet e tyre janë përqëndruar edhe në raste konkrete duke ofruar edhe hollësi: në Mitrovicë një studente e Fakultetit Juridik i është “kundërvy” gjyqtarit duke e quajtur jo-profesional dhe duke cituar ligjet strukturore në fuqi për të drejtën e gruas në pronë – si Ligjin për Familje, Ligjin pë Trashëgimi, Ligjin për Barazi Gjinore dhe atë kundër Diskriminimit.
Ndërkaq, në Gjakovë një pjesëmarrëse ka ndarë me të pranishmit eksperiencën e saj duke thënë: “Pronën ja kam kalu vllaut, sot jam pishman. Pasi më vdiq edhe nëna më nuk kam shku në shtëpi ngase vllau me nuse nuk po më pranojnë”.
Në Pejë një qytetarë ka deklaruar “Kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Pronën do e ndaj në dy pjesë; një pjesë djemve dhe pjesën tjetër vajzës”.
Në kuadër të projektit “Prona e paluajtshme dhe barazia gjinore” RrGGK synon që të rrisë vetëdijen për rëndësinë e regjistrimit të pronës në emër të gruas si pronare e vetme, bashkëpronare apo si trashëgimtare e barabartë. Gjithashtu, projekti parasheh që t’ju ofroj ndihmë ligjore e financiare grave në realizimin e kësaj të drejte.
Më tutje, ky projekt përveç shfaqjeve dhe asistencës ligjore e financiare, parasheh edhe takime derë më derë me familje në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës, me qëllim të senzibilimit të shoqërisë për rëndësinë e realizimit të së drejtës pronësore të gruas. Këto takime realizohen nga aktivistët e RrGGK-së të mbajtura në qytete të ndryshme të Kosovës.
Shtëpia ime, e drejta ime!