Me 23 nëntor RrGGK publikoi raportin e dytë hulumtues mbi qëndrimet dhe incidencën e dhunës në familje në Kosovë, pas hulumtimit Siguria fillon në shtëpi (2008). Raporti gjithashtu shqyrton përgjigjen institucionale ndaj dhunës në familje dhe monitoron zbatimin e kornizës ligjore përkatëse.
Hulumtimi ka përfshirë rishikimin e kornizës ligjore, anketimin e 1,315 qytetarëve të Kosovës dhe më shumë se 200 intervista me përfaqësues të institucioneve publike, të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë kyç.
Raporti u publikua gjatë takimit të grupit punues qeveritar që momentalisht po punon në hartimin e Strategjisë dhe Planit Nacional të Veprimit kundër Dhunës në Familje (që do të publikohet në vitin 2016). Hulumtimi i RrGGK-së synon të ofrojë informata të sakta dhe rekomandime të bazuara në të dhëna, që do të ofrojnë të dhëna për këtë Strategji të re. Kjo Strategji do të zëvendësojë atë të kaluarën, që ishte aprovuar në vitin 2010, dhe që ka skaduar vitin e kaluar.
Ky hulumtim gjithëpërfshirës poashtu monitoron zbatimin e kornizës ligjore që lidhet me adresimin e dhunës në familje dhe shqyrton performancën e institucioneve individualisht lidhur me kryerjen e detyrave të tyre.
Raporti përfundon merekomandime konkrete për përmirësimin e përgjigjes institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë, përfshirë edhe rekomandimet drejtuar institucioneve individualisht.
"Kemi menduar shumë gjate se si ta quajmë raportin. Per shkak të rastit të vrasjes së Zejnepe Bytyqi-Berishës që ndodhi muajin e kaluar, vendosëm ta quajmë raportin "Mjaft më me Arsyetime" Nuk ka më arsyetime për asnjë institucion, dhe asnjë qytetar. Nuk mund të durojmë më dhunën që ushtrohet ndaj grave, fëmijëve, pleqve", u shpreh Igballe Rogova Drejtore Ekzekutive e RrGGK gjatë publikimit.
Pra titulli i referohet nevojës për tolerancë zero dhe thirrjes “Mjaft më me arsyetime”: si për qytetarët lidhur me arsyetimet se pse ndodh dhuna (p.sh. alkooli, papunësia), ashtu edhe për institucionet lidhur me atë se pse nuk i kanë përmbushur rolet dhe përgjegjësitë e tyre zyrtare.
Ndërsa Zëvendës Ministri i Drejtësisë dhe Koordinatori Nacional kundër Dhunës në Familje, Lirak Çelaj rikonfirmoi edhe një herë përkushtimin e tij për të luftuar dhunën në familje. “Rasti u fundit i Zejnepes nuk le me hapesirë për arsyestime si dhe strategjia e re kundër dhunës në familje do të ketë 0 tolerancë për dhunën në familjë”, shtoi ai.
Hulumtimi u zhvillua në vitin 2015 dhe përfshinë anketimin e 1,315 qytetarëve mbi moshën 18 vjeçare në mbarë Kosovën, nga të gjitha përkatësitë etnike (51.6% gra dhe 48.4% burra). Hulumtimi ka mbuluar si zonat rurale (59.2%), ashtu edhe ato urbane (40.8%). Hulumtimi poashtu ka përfshirë më shumë se 200 intervista me përfaqësues të institucioneve publike që kanë përgjegjësi për zbatimin e kornizës ligjore, të shoqërisë civile dhe të akterëve të tjerë kyç.
Ky hulumtim është financuar nga Austrian Development Agency (ADA). Publikimi u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Koordinatorin Nacional kundër Dhunës në Familje, Agjencinë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe UN Women.