Sot, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) publikoi raportin më të ri hulumtues të titulluar Ngacmimi seksual në Kosovë.
Fjalimet e hapjes janë dhënë nga Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK; Edona Hajrullahu, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGJ); dhe Christian Geosits, Drejtor i Zyrës së Austrian Development Agency (ADA).
Ky raport, për herë të parë, analizon kornizën ligjore që ndërlidhet me ngacmimin seksual në Kosovë; përceptimet dhe qëndrimet drejt ngacmimit seksual; shtrirjen e tij; dhe përgjigjen institucionale.
Hulumtimi ka përfshirë rishikimin e kornizës ligjore, një anketim të realizuar në vitin 2015, në të cilin u përfshinë 1,315 qytetarë dhe më shumë se 200 intervista me përfaqësues të institucioneve publike, organizata të shoqërisë civile si dhe akterë tjerë kyç. Raporti përmbyllet me rekomandime për amandamentimin e kornizës ligjore dhe përmirësimin e përgjigjes institucionale për ngacmimin seksual.
"Në qoftë se brezi ynë nuk i trajton këto çështje, atëherë këto do të kalojnë tek brezat e ardhshëm dhe do të përkeqësohen e do të thellohen më shumë", tha Edona Hajrullahu. "Prandaj unë jam e kënaqur që ky raport është publikuar dhe në emër të ABGJ-së, unë do të doja të theksoj se sa mirë ndihemi për bashkëpunimin e mirë që kemi me RrGGK dhe se sa shumë e vlerësojmë angazhimin e tyre në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave."
Ky hulumtim është financuar nga ADA dhe është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me ABGJ, dhe grupin tonë këshillues.
“Duhet të them se unë kam qenë i mahnitur me të dy raportet e RrGGK-së të publikuara së fundi: Mjaft më me arsyetime dhe Ngacmimi seksual në Kosovë, dhe jam shumë i lumtur që ADA është në pozitë për të ndihmuar njerëzit që e dinë se çfarë po bëjnë”, tha Christian Geosits . "Kosova ka kaq shumë ligje, ne nuk kemi nevojë për më shumë, kemi nevojë për harmonizimin dhe zbatimin e tyre në mënyrën e duhur. Prandaj, ADA është shumë krenare që ka mbështetur raportin e parë të plotë mbi ngacmimin seksual."
Më pas, dy nga katër bashkë-autorët e raportit, Ariana Qosaj – Mustafa, Eksperte Ligjore dhe Kryetare e Bordit të RrGGK-së; dhe Adelina Berisha, Koordinatore për Avokim në RRGGK, prezantuan gjetjet kryesore të hulumtimit:
- 31.5 % të kosovarëve mendojnë se thirrja me emra: loqk, zemër, shpirt, syn, llokum është ngacmim seksual.
- 43.8% e kosovarëve thonë se fishkillëmat në rrugë janë ngacmim seksual.
- 49.0% e kosovarëve konsiderojnë pickimet, prekjet, apo shtyrjet si forma të ngacmimit seksual.
- Një përqindje më e lartë e burrave sesa e grave, priren të identifikojnë pjesën më të madhe të formave të ngacmimit seksual si të tilla.
- Personat më të mëdhenj në moshë kanë më shumë të ngjarë sesa personat më të rinj që të identifikojnë më shumë forma të ngacmimit si të tilla.
- 48.5% e kosovarëve kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual gjatë jetës së tyre.
- 64.1% e grave raportojë se kanë përjetuar ngacmim seksual, 32.5% është pjesa e burrave që kanë përjetuar ngacmim seksual.
- Forma e ngacmimit seksual më e përhapur sipas të anketuarve është që dikush të bëjë komente të padëshiruara seksuale, shaka apo gjestikulacione për ty apo në lidhje me ty, përfshirë këtu edhe në rrugë.
- Një në tre gra (34.2%) krahasuar me vetëm 1.6% të burrave, kanë raportuar që të tjerët i kanë rënë borisë së automjetit ndërkohë që ato kanë qenë duke ecur në rrugë.
- 46.4% e grave dhe vetëm 3.9% e burrave, kanë raportuar që të tjerët u kanë fishkëllyer.
- 26.4% e grave dhe 3.3% e burrave janë ndjekur nga dikush.
- Nga 561 persona që raportonin se ishin ngacmuar seksualisht në vitin 2014, ata kryesisht ishin ngacmuar nga persona të panjohur në rrugë (421 respondentë).
- Respondentët kanë raportuar edhe se janë ngacmuar nga të njohur (77 respondentë), shokë (51), kolegë pune (20), mësimdhënës (12), shefi në punë (7), dhe partnerët e respondentëve (2).
- Gratë kanë prirje të ngacmohen më shumë nga persona të panjohur në rrugë dhe shokë sesa burrat. Burrat kanë më shumë të ngjarë të ngacmohen nga shokët sesa nga gratë.