RrGGK trajnon Shërbimin Korrektues dhe Sprovues në Kosovë

Më 9 nëntor, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) u ftua nga Projekti i Binjakëzimit të BE-së “Programi Parandalues” për të trajnuar zyrtarët nga Shërbimi Korrektues dhe Sprovues në Kosovë, në lidhje me programet e rehabilitimit për lloje të veçanta të kryesve të dhunës, duke përfshirë kryesit e krimeve seksuale, kryesit e dhunës në familje dhe abuzuesit e drogës. Trajnimi përfshiu 20 punëtorët social dhe zyrtar sprovues.
 Adelina Berisha, Asistente e Hulumtimeve në RrGGK, mbajti trajnim mbi konceptet bazike mbi Gjininë dhe Barazinë Gjinore. Ajo ndau njohuritë e saja mbi temën e dhunës në familje dhe ngacmimeve seksuale. Ajo gjithashtu informoi zyrtarët në lidhje me obligimet ligjore që Shërbimet Korrektuese dhe Sprovuese kanë në trajtimin e këtyre dy çështjeve, si dhe ndau të dhënat kryesore të raportit mbi dhunën në familje që do të publikohet së shpejti, me titullin Mjaft më me arsyetime.
  Gjatë trajnimit u analizuan sfidat në zbatimin e kornizës ligjore nga të dyja institucionet. Më tutje, pjesëmarrësit u informuan në lidhje me rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile e veçanërisht me strehimoret për t’iu ardhur në ndihmë personave që kanë përjetuar dhunë në familje. Një temë tjetër që u adresua gjatë këtij trajnimi ishte trajtimi i kryesve të dhunës në familje. Trajnimi u fokusua në përgjegjësitë e secilit institucion në ofrimin e trajtimeve të tilla, si dhe strategjitë e ofrimit të këtyre shërbimeve.
 Të pranishmit ishin të kënaqur me trajnimin, duke e theksuar se kjo ishte hera e parë që ata diskutojnë për dhunën në familje, dhe dhunën seksuale në mënyrë specifike.