Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka përpiluar një analizë të shkurtër të politikave, përmes të cilës ka listuar rekomandime për përfshirjen e perspektives gjinore ne Rregulloren e BE-se që përcakton politikat e financimit të jashtëm të BE-së, përkatësisht për rregulloren që definon objektivat e IPA III.
Kjo letër është mbështetur nga 190 organizata të grave te Ballkanit Perëndimor. RrGK bashkë me këto organizata përkrahëse, përmes kësaj analize ka shprehur bindje të thellë se integrimi i perspektivës gjinore në rregulloret që përcaktojnë ndihmën e para anëtarësimit është i mundshëm dhe i domosdoshëm, për të çuar përpara barazinë gjinore në regjionin e Ballkanit Perëndimor, dhe më tej.
RrGK ka pranuar komente pozitive nga zyrtarë kompetentë të BE-së, të cilët e kanë konsideruar analizën tejet të qëlluar dhe të përgatitur në kohë të përshtatshme.
Instrumenti i Ndihmës së Para- Anëtarësimit (IPA II) është instrumenti kryesor financiar për të siguruar mbështetjen e BE-së për përfituesit në zbatimin e reformave me synim përafrimin me BE-në. Rregullorja IPA II ka hyrë në fuqi me 16 mars 2014 dhe është e zbatueshme deri ne fund të 2020. Rregullorja IPA II Plotësohet me Rregulloren e Përbashkët Zbatuese (CIR), e cila është një grup i rregullave dhe procedurave të thjeshtuara dhe të harmonizuara të zbatimit për të gjitha instrumentet e veprimit të jashtëm. Disa nga dispozitat e (CIR) mbi financimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të rregullohen përmes Instrumentit të Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (NDICI). Rekomandimet e RrGK përfshijnë edhe integrimin e perspektivës gjinore në këtë rregullore.
Kjo Analizë e politikave është përpiluar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (151 organizata anëtare) dhe është mbështetur nga:
- Fondacioni “Gratë e Bashkuara” – Bosnje dhe Hercegovinë
- Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje – Maqedonia Veriore (19 anëtarë)
- Reactor- Hulumtim në Veprim – Maqedonia Veriore
- Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – Shqipëri (8 anëtarë)
- Shoqata e Grave “Sandglass” – Serbia
- “Vatra” – Qendër Psiko-Sociale Shqipëri
- Qendra për të Drejtat e Grave – Mal i zi