Me 21 korrik 2017, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizoi trajnimin për monitoruesit e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtues (BIRN). Trajnimi u mbajt në kuadër të bashkëpunimit që këto dy rrjete e kanë filluar, bashkëpunim ky që për qëllim ka të bëjë monitorimin e punës së institucioneve vendore duke u siguruar të ketë drejtësi, mbrojtje dhe rehabilitim të rasteve të dhunës me baza gjinore.
Dhunë në baza gjinore është çdo formë e dhunës e kryer nga një person ndaj personit tjetër për shkak të gjinisë së atij personi. Në Kosovë, gratë dhe vajzat janë dukshëm më të prekura nga forma të ndryshme të dhunës, vetëm për shkak të gjinisë të tyre. Bazuar në këtë fakt, RrGK dhe BIRN janë bashkuar që të luftojnë dhunën në baza gjinore, duke synuar në ngritjen e përgjegjësisë institucionale gjatë trajtimit të dhunës në baza gjinore, si dhe në rritjen e raportimit të rasteve të dhunës në baza gjinore. Rastet që do të monitorohen përfshijnë dhunën në familje, ngacmimin seksual, përdhunimin si dhe format e tjera të dhunës.
Pjesëmarrësit në këtë trajnim u njoftuan mbi dhunën në baza gjinore dhe llojet e saj, detyrat dhe obligimet e institucioneve relevante dhe procedurat standarde të veprimit në mbrojtje nga dhuna në familje. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu paragjykimet dhe stereotipet gjinore që mund të ndikojnë në zbatimin e dobët të përgjegjësive institucionale që lidhen me dhunën në baza gjinore, duke u mbështetur në provat nga hulumtimet paraprake të RrGK-së mbi dhunën në familje dhe ngacmimin seksual.
RrGK dhe BIRN do të fillojnë monitorimin e institucioneve në korrik të këtij viti. Rrjetet u bëjnë thirrje personave që duan të raportojnë dhunën në baza gjinore të na njohtojnë për shkeljet institucionale që u janë bërë gjatë raportimit të rastit të tyre. Për më tepër, ju lutemi na informoni nëse dëshironi që një monitorues i trajnuar të përcjellë rastin tuaj kur ju i qaseni policisë dhe institucioneve të tjera, me qëllim të monitorimit se si këto institucione e trajtojnë rastin tuaj në përputhje me rolet dhe përgjegjësitë e tyre. Kjo mund të kontribuojë në mbajtjen e institucioneve përgjegjëse për kryerjen e përgjegjësive të tyre në mënyrë korrekte.
Kjo nismë është duke u përkrahur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA). Kjo nismë kontribon drejtpërsëdrejti në implementimin e Planit Gjinor të Veprimit II të BE-së në Kosovë që ka për synim të bëjë ngritjen e kapaciteteve të medias në hulumtim dhe raportim mbi dhunën në baza gjinore.