RrGK dhe MASHT thellojnë bashkëpunimin

Të premten, më 19 gusht Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, është pritur nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), znj. Arbërie Nagavci, me ç‘rast kanë diskutuar për Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe arsimimit të ndjeshëm gjinor që sfidon normat ekzistuese gjinore dhe marrëdhëniet e pabalancuara të pushtetit, të nënshkruar në vitin e kaluar.

Në takim në mes tjerash u diskutua edhe për Udhëzimin Administrativ për Kodin e Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta dhe fushatës së fundit që është bërë për lejimin e uniformës fetare.

Me këtë rast Rogova tha:

“RrGK vlerëson se një ndryshim i tillë i udhëzimit administrativ është i panevojshëm dhe argumentet që po tentohet të përdoren, nuk qëndrojnë. Neni 3, paragrafi 1.13 i UA nr.06/2014 është në përputhje me kushtetutën dhe shfuqizimi i tij ka si pasojë ekspozimin e vajzave të mitura ndaj ndikimit të rrethit fanatik fetar.”

Më pastaj Rogova njoftoi Ministren edhe për fushatën e RrGK-së për heqjen e taksave për produktet menstruale. Ato diskutuan edhe për mundësinë e pajisjes së shkollave me produkte menstruale, por se për këtë duhet angazhim jo vetëm i shoqatave, por edhe institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.