Më 10 maj përfaqësuese të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me përfaqësuese të strehimoreve Shtëpia e Sigurt-Gjakovë, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve – Prishtinë, Qendra për Mirëqenien e Gruas, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore (MVPT), Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria” – Gjilan diskutuan për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
Në qendër të këtij takimi ishte krijimi i mundësive për financim të qëndrueshëm për strehimoret si dhe qendrat e tjera ditore të cilat ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Nazife Jonuzi, Drejtore e Qendrës “Liria”, ka ndarë me të pranishmet pjesë nga puna e tyre.
“Përveç strehimit, ne ofrojmë edhe ndërmjetësim, këshilla juridike dhe këshilla sociale për gratë”, ka thënë ajo tutje.
Adelina Berisha, Koordinatore për Avokim në RrGK ka theksuar nevojën që bashkëpunime të tilla ta shoqërojnë gjithë procesin e ndryshimit të këtij Ligji, në mënyrë që të arrihet përfaqësim sa më dinjitoz i të mbijetuarave të dhunës në familje.
“Ky Ligj do të jetë edhe garantues që puna e strehimoreve dhe qendrave ditore për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore të gjejë mbështetje të qëndrueshme financiare, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mirat për këto viktima. Ky është një momentum që duhet shfrytëzuar, pasi që roli dhe përvoja juaj janë qenësore për këto rekomandime që ne sot së bashku do t’i draftojmë”, ka thënë Berisha.
Gjatë takimit, pjesëmarrëset draftuan edhe rekomandimet të cilat iu dërguan Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione të Kuvendit të Kosovës.
Pjesëmarrëset u pajtuan me plotësimin e Nenit 31 të cilin propozuan ta quajnë: Organizatat joqeveritare që ofrojnë shërbime të veçanta sociale dhe familjare. Po në këtë nen, u propozua që të sigurohet se “strehimoret do të financohen përmes linjës së veçantë buxhetore, në kuadër të shërbimeve sociale, të ndara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS)”. Ndërsa në nenin 30 “Mbledhja e të Dhënave”, u propozua që “të shtohet një definicion i cili do të specifikonte se viktimë e dhunës në familje apo dhunës me bazë gjinore, përveç gruas duhet të konsiderohen edhe fëmijët”.
Ky takim u përkrah nga UN Women.