Stafi i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) është solidarizuar me gratë e prekura nga kanceri gjatë gjithë muajit tetor.
Në përballjen e tyre të përditshme, çdo ditë është një betejë e re. Çdo lajm i papritur, çdo trajtim i vështirë dhe çdo dhimbje e rëndë janë sfida që ato përballojnë me forcë të jashtëzakonshme. Kanceri nuk është thjesht një sëmundje – ai prek trupin, zemrën dhe shpirtin, duke ndryshuar gjithçka përreth tyre. Megjithatë, ato vazhdojnë të qëndrojnë të forta dhe të na frymëzojnë të gjithave me kurajën e tyre.
Në një të martë, kur ne shënuam fushatën “Këpucët e Kuqe”, u solidarizuam me të gjitha duke vënë secila nga një fjongo rozë dhe duke përçuar mesazh. Ne i mbështetëm ato që përballen me frikën, ankthin dhe pasigurinë, por që gjithsesi gjejnë forcë të buzëqeshin, të përqafojnë të dashurit e tyre dhe të shpresojnë për ditë më të mira.
“Kujdesuni për veten! Shkoni për kontrolle të rregullta, mos e neglizhoni shëndetin tuaj. Një kontroll i hershëm mund t’ua shpëtojë jetën, mund të sjellë më shumë ditë pranë fëmijëve tuaj, më shumë kujtime të lumtura me ata që i doni. Në këtë rrugëtim të vështirë, asnjë grua nuk është vetëm. Jemi të gjitha bashkë derisa të fitohet çdo betejë, dhe bashkë…ëndërrojmë për një të ardhme ku dhimbja të jetë më e vogël dhe shpresa më e madhe”, kjo ishte një ndër thirrjet tona.
RrGK iu bashkua edhe manifestimit tradicional “Ecja Simbolike”, organizuar nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, në bashkëpunim me Presidencën e Kosovës, në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit. Ky aktivitet u mbajt në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë dhe përfundoi në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke mbledhur bashkë qytetarë të shumtë që përkrahën këtë kauzë.
Si çdo vit, RrGK mori pjesë aktivisht për të rritur ndërgjegjësimin rreth kancerit të gjirit dhe për të inkurajuar diagnostikimin e hershëm, i cili shpëton jetë. Ky aktivitet simbolik përcolli mesazhin e përbashkët për të gjithë shoqërinë: të angazhohet në luftën kundër kancerit dhe të ofrojë mbështetje për gratë e prekura.
Përveç kësaj, stafi i RrGK mori pjesë në një ligjëratë nga doktoresha Sabahate Lleshi, e cila foli për parandalimin e kancerit të gjirit dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore.