Imagjinoni sikur ndodheni në mes të një krize dhe kërkoni siguri, por në vend të kësaj lëndoheni pikërisht nga vetë njerëzit që kanë për detyrë t’ju ndihmojnë dhe t’ju mbrojnë. Për të mbijetuarit e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të kryer nga personat përgjegjës të personelit të misioneve humanitare dhe paqeruajtëse (RP-SEA), kjo tradhti vetëm sa e thellon traumën, duke i kthyer vendet që mendohej të ishin të sigurta në hapësira ku dhuna vazhdon.
Akuzat për shfrytëzim dhe abuzim seksual të kryer nga personat përgjegjës të personelit të misioneve humanitare dhe paqeruajtëse (RP-SEA) në kontekste humanitare dhe paqeruajtëse kanë vazhduar prej dekadash, duke përfshirë edhe rastet e abuzimit me fëmijë. Edhe pse ky fenomen është i përhapur gjithandej, mungesa e të dhënave të besueshme e ka vënë në hije shkallën reale të problemit, duke e kufizuar llogaridhënien dhe duke nxitur keqkuptimin se këto abuzime janë raste të izoluara, e jo dështime strukturore.
Në vitin 2025, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u bë pjesë e Partneritetit joformal kundër shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të kryer nga personat përgjegjës të personelit të misioneve humanitare dhe paqeruajtëse “RESPONDER”, një bashkëpunim hulumtues ndërdisiplinor dhe ndërkombëtar që synon t’i kundërvihet RP-SEA, duke nxjerrë dëshmi të fuqishme, të bazuara në përvojat e të mbijetuarve, të cilat mund të mbështesin avokimin e të drejtave, reformën e politikave dhe përgjigje më efektive ndaj viktimave.
Ky Partneritet tashmë i formalizuar po kryen hulumtime në gjashtë shtete ku ka pasur ndërhyrje humanitare dhe të OKB-së: në Republikën Demokratike të Kongos, në Republikën e Afrikës Qendrore, në Liban, në Sudanin e Jugut, në Haiti, si dhe në Kosovë. Objektivat e këtij hulumtimi përfshijnë vlerësimin e madhësisë së popullatave të prekura nga RP-SEA; shqyrtimin e mënyrës se si komunitetet i kuptojnë rreziqet dhe përfitimet e raportimit; si dhe hulumtimin e qasjeve alternative për llogaridhënie dhe drejtësi riparuese. Fokus i veçantë i kushtohet kuptimit se si dallojnë përvojat ndërmjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve, personave LGBTQI+ dhe personave me aftësi të kufizuara, perspektivat e të cilëve shpesh mbeten jashtë sistemeve të zakonshme të hulumtimit dhe raportimit.
Për ta arritur këtë, Partneriteti përdor metodologji inovative hulumtuese, duke përfshirë përzgjedhjen e mostrave që bazohen në respondentë dhe vlerësimin e madhësisë së popullatës, krahas intervistave të thelluara dhe diskutimeve në fokus-grupe. Kjo qasje mundëson mbledhjen e të dhënave më përfaqësuese dhe më gjithëpërfshirëse, duke e vënë në qendër angazhimin etik dhe pjesëmarrës me komunitetet. Organizatat partnere, duke përfshirë këtu edhe RrGK-në, kanë rol kyç për të siguruar një angazhim të drejtpërdrejtë të nivelit lokal dhe për të sjellë ekspertizën e tyre kontekstuale, thelbësore këto për procesin e hulumtimit.
Duke krijuar dëshmi të sigurta mbi shkallën dhe dinamikat e RP-SEA, Partneriteti RESPONDER synon të mbështesë ndryshime në politika, të forcojë reagimin e të mbijetuarve, si dhe ta bëjë të ditur strategjinë parandaluese brenda sektorëve humanitarë dhe paqeruajtës. Partneriteti po ashtu i jep përparësi ndërtimit të një rrjeti global të hulumtimit dhe praktikës, si dhe mbështetjes së organizatave të shoqërisë civile për t’i shndërruar gjetjet në reforma sociale, duke përfshirë edhe ato në lidhje me fëmijët e lindur si rezultat i përdhunimit nga personeli i misioneve të tilla. Për më tepër, Partneriteti investon në gjeneratën e ardhshme të studiuesve, duke angazhuar studentë në hulumtime bashkëpunuese, si dhe duke forcuar aftësitë ndërdisiplinore dhe rrjetet profesionale.
RrGK është krenare që po kontribuon në këtë nismë me ekspertizën e saj feministe dhe të përqendruar te të mbijetuarit, për të pasur misione humanitare dhe paqeruajtëse pa abuzim, që i respektojnë të drejtat dhe dinjitetin e të gjitha komuniteteve të prekura nga kriza.
Partneriteti RESPONDER financohet nga Këshilli Kërkimor i Shkencave Sociale dhe i Shkencave Humane (Social Sciences and Humanities Research Council (SSHRC)) i Kanadasë, me një kontribut të konsiderueshëm në natyrë të partnerëve lokalë, duke përfshirë këtu edhe RrGK-në.