RrGK-ja krijon strategjinë e avokimit për anëtarësimin në BE

Më 7 shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizoi një punëtori të planifikimit strategjik që të kontriboi në Strategjinë e saj për avancimin e një perspektive gjinore në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE). 
      Në këtë strategji do të përfshihen përpjekjet e planifikuara të avokimit për t’iu drejtuar organeve specifike të BE-së dhe të Kosovës. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë mbledhur për të diskutuar tema të tilla si: përafrimi i ligjeve të Kosovës me të drejtën e BE-së; diskriminimi me bazë gjinore dhe të drejtat e punës; financimi, përkrahja dhe mbështetja e aktivizmit për të drejtat e grave; përmirësimi dhe rritja e përfshirjes së OSHQ-ve që udhëhiqen nga gratë në Procesin e anëtarësimit në BE, dhe integrimi i një perspektive gjinore në programimin e IPA-s
       Pjesëmarrësit zgjodhën një temë e cila ishte e rëndësishme për punën e tyre dhe më pas grupet identifikuan problemet/çështjet kryesore Brenda asaj teme të caktuar. Pas diskutimit, grupet përcaktuan objektivat dhe aktivitetet që RrGK-ja dhe organizatat e saj partnere mund të ndërmarrin me qëllim që t’u gjejnë zgjidhje problemeve, si dhe rezultatet që ajo do të arrinte. Diskutimi për këto tema ishte intensive dhe i frytshëm. 
      Disa prej objektivave që dolën nga diskutimet e grupeve të vogla kishin në qendër përmirësimin e monitorimit dhe vlerësimin e projekteve aktuale në Kosovë, komunikimin me donatorë të mëdhenj lidhur me llojet e financimeve që nevojiten për ndryshimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm në komunitete, si dhe rritjen e njohurive në radhët e zyrtarëve që buxhetimi gjinor është pjesë e ligjeve të Kosovës dhe se duhet të zbatohet. Këto grupe nxorën edhe shumë e shumë aktivitete dhe veprime, ndërsa personeli i RrGK-së është duke i shndërruar këto objektiva dhe veprime në strategji funksionale avokimi. 
      Pati edhe një diskutim lidhur me mënyrën më të mirë për përmirësimin e marrëdhënieve të mëtejshme midis institucioneve përkatëse qeveritare dhe organizatave të shoqërisë civile. Që procesi i anëtarësimit në BE të jetë i suksesshëm, të dyja anët duhet të punojnë së bashku me organizatat donator me qëllim që të përmbushin më mire standardet e skicuara në Planin II të BE-së për veprimin gjinor. Me anë të këtij plani veprimi synohet të ofrohet një perspektivë gjinore për të gjitha programet e IPA-s deri në vitin 2020. Të gjitha anët janë vendimtare për të ndihmuar popullsitë më të cenueshme në Kosovë dhe duhet të gjejnë mënyra më të mira për të punuar në harmoni. Nëse do të kishte një shkëmbim më të rrjedhshëm të ideve dhe këshillave, si dhe përkrahje dhe mirëbesim të ndërsjellë, të dyja palët do të mund të kishin arritje të mëdha në drejtim të barazisë gjinore. 
      Deri në fund të seminarit, RrGK-ja kishte krijuar bazën për hartimin e një strategjie avokimi për të çuar më tej perspektivën gjinore në anëtarësimin në BE. Pjesëmarrësit dhe palët e tjera të interesuara do të marrin një kopje të draftit të strategjisë Brenda javëve që vijnë. Më pas, RrGK-ja do të organizojë një seminar të dytë për planifikimin strategjik në funksion të finalizimit të përbashkët të kësaj strategjie të rëndësishme, e cila do të udhëheqë punën e RrGK-së në aspektin e avokimit për vitet e ardhshme. Ky seminar u mbështet nga fondacioni “Kvinna till Kvinna” , përkrahës dhe partner afatgjatë i Rrjetit të Grave të Kosovës.