Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit ka publikuar për konsultim publik Strategjinë e Qeverisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2026 – 2031 dhe Planin e Veprimit 2026-2028. Strategjia dhe Plani i Veprimit kanë për qëllim forcimin e partneritetit, rritjen e transparencës, integrimin në BE, pjesëmarrjen e shoqërisë civile në vendimmarrje dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka analizuar draft Strategjinë dhe Planin e Veprimit, dhe me qëllim të përfaqësimit sa më të mirë të interesave të organizatave të ndryshme anëtare të Rrjetit dhe shoqërisë civile në Kosovë, ka komentuar të dyja dokumentet ku mes tjerash kërkon nga Qeveria që:
- Draft Strategjia do të duhej të përdorte qasje gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme gjinore, sidomos në lidhje me paraqitjen e të dhënave të ndara sipas gjinisë, moshës, etnisë, vendbanimit rural/urban, dhe aftësisë së kufizuar. Paraqitja e te dhënave të ndara sipas gjinisë është kërkesë e dalë nga Ligji për Barazi Gjinore.
- Qeveria do të duhej të merrte më tepër përbazë situatën gjeopolitike dhe kërcënimet e ndërlidhura me tkurrjen e fondeve të huaja për zhvillim si rënia e kualitetit në ofrim të shërbimeve (përfshirë mbrojtjen për viktimat e dhunës me bazë gjinore), rënie në monotorimin or angazhimin e grupeve të ndryshme në procesin e reformave të BE-së, me theks të veçantë ndikimin që kjo situatë e ka në punën e organizatave të grave. Kjo nuk është adresuar si duhet në draft Strategji dhe as zotimi për ndarjen e fondeve publike të cilat do të mbështesnin punën e organizatave të ndryshme. Draft Strategjia përmban vetëm hapa fillestar dhe të përgjithshëm për bashkëfinancim të projekteve të BE-së dhe ofruesëve të shërbimeve. Prandaj, Qeveria duhet të shtyjë përpara zotime konkrete për të ndarë fonde në mbështetje të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile në 1) ofrim të shërbimeve 2) bashkëfinancim (të zgjerojë listën përveç për projekte të BE-së) dhe 3) hulumtim, monitorim, avokim dhe fusha të ndryshme. Zotimet e qarta për mbështetje financiare duhet të bëhen përmes mekanizmave financues të krijuar në konsultim me OShC-të e ndryshme.
- Plani i Veprimit nuk i bën të qarta zotimet e Qeverisë, përkundrazi varet shumë nga fondet e donatorëve të huaj, edhe pse Qeveria do të duhet të merrte përgjegjësi për realizimin e tij.
- Edhe draft Strategjia edhe Plani i Veprimit do te duhej të bazoheshin në Vlerësim të Ndikimit Gjinor dhe buxhetimit të ndërgjegjshëm gjinor në linjë me Ligjin për Barazi Gjinore, si dhe të sigurojnë mbledhjen, analizën dhe raportimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë.
RrGK mbetet e përkushtuar në punën e saj në avancimin e kornizës ligjore në të mirë të barazisë gjinore dhe grupeve të tjera të margjinalizuara. Rrjeti do të vazhdojë të monitoroj këto zhvillimë në të mirë të anëtarëve të tij dhe do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me organizatat e tjera të shoqërisë civile dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës në adresimin e komenteve më lartë.
