RRGK kërkon më shumë vëmendje ndaj barazisë gjinore në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2025

Barazia gjinore është një vlerë themelore e Bashkimit Evropian (BE) dhe e Qeverisë së Kosovës. Për të mbështetur integrimin e perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), së bashku me anëtaret e tij, javën e kaluar dorëzoi kontributin e vet vjetor për Raportin e Komisionit Evropian (KE) për Kosovën. RrGK synon të përfshijë perspektivën gjinore në secilin kapitull të Raportit, me qëllim që të pasqyrohen më mirë nevojat e grave, burrave, vajzave dhe djemve të ndryshëm në procesin e anëtarësimit në BE. RrGK ofroi komente për shumicën e kapitujve, me fokus në demokraci, reformën e administratës publike, gjyqësor dhe të drejtat themelore, polici, ekonomi, prokurim publik dhe financa, marrëdhëniet Kosovë-Serbi, shëndetësi, media dhe arsim.

Sa i përket demokracisë, RrGK theksoi se ligjet zgjedhore duhet të ndryshohen për të garantuar pjesëmarrjen 50% të grave dhe burrave, sipas Ligjit për Barazi Gjinore, dhe që partitë politike duhet të ndërmarrin masa afirmative për të nxitur pjesëmarrjen e grave dhe për të adresuar pabarazitë gjinore. Procedurat e Kuvendit duhet të përfshijnë kontrollin e cilësisë së analizave të ndikimit gjinor për të gjitha projektligjet dhe të kundërshtojnë në mënyrë aktive retorikën diskriminuese. Qeveria duhet të konsultohet më shumë me organizatat në nivel lokal, grupet e grave, grupet që përfaqësojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë dhe të personave me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, duhet të krijohet financimi shtetëror i qëndrueshëm e transparent për organizatat e ndryshme të shoqërisë civile (OSHC), si dhe të bëhen ndryshime ligjore që mundësojnë që donacionet për shoqërinë civile të jenë të zbritshme nga tatimet. Reforma e administratës publike duhet të përfshijë masa afirmative për pjesëmarrjen e barabartë të grave, krahas punësimit të bazuar në merita dhe digjitalizimit të shërbimeve publike me përgjegjësi gjinore. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGJ), siç kërkohet nga Ligji për Barazi Gjinore, treguesi 5.c.1 i Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Korniza Gjinore e PEFA-s, duhet të institucionalizohet në ligjet e reja për financat publike dhe të zbatohet në praktikë.

Sa i përket gjyqësorit, RrGK rikujtoi rekomandimet e saj për ndryshimin e Kodit Penal me qëllim që dhuna kibernetike të adresohet më qartë. Kosova duhet të sigurojë hetime penale të qëndrueshme, të përmirësojë cilësinë e aktakuzave dhe të garantojë procedura efektive penale, përfshirë në rastet e dhunës me bazë gjinore. Në këtë drejtim, Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin ndërmjet prokurorisë dhe policisë, dhe gjatë caktimit të rastësishëm të lëndëve, të sigurojë që gjyqtarët/et dhe prokurorët/et që trajtojnë rastet e dhunës me bazë gjinore të jenë të specializuar/a për raste të tilla. Në përputhje me zotimet e veta, Qeveria duhet të sigurojë një strehimore për personat LGBTQI+. Kuvendi duhet ta miratojë Kodin Civil për të mbrojtur martesat e të njëjtës gjini në përputhje me Kushtetutën dhe të adresojë retorikën homofobike në Kuvend. Për më tepër, Kosova duhet të përmirësojë hetimet në lidhje me krimet e urrejtjes dhe kërcënimet në internet ndaj personave LGBTQI+, gazetareve dhe aktivisteve për të drejtat e grave.

Sa i përket ekonomisë, bazuar në hulumtimin e RrGK-së, Qeveria duhet të zbatojë masa të përgjegjshme gjinore për të adresuar informalitetin, përfshirë formalizimin e punës joformale bazuar në analizë gjinore. Kosova duhet urgjentisht të miratojë një Ligj të ri të Punës në përputhje me Direktivën e BE-së për Balancimin e Jetës Profesionale dhe Familjare, për të adresuar pjesëmarrjen shqetësuese të ulët të grave në fuqinë punëtore. Në funksion të Objektivave të Barcelonës të BE-së dhe zotimeve të saj, Qeveria duhet të përmirësojë qasjen në edukimin e hershëm dhe parashkollor, gjë që mund të përmirësojë rezultatet arsimore të fëmijëve dhe pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, ndërsa integron arsimimin transformues gjinor. Në fushën e arsimit, planprogramet duhet të rishikohen më tej për të adresuar stereotipet gjinore.

Sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi, gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në Dialog. Qeveria duhet të komunikojë më rregullisht me gra, burra dhe OSHC-të për të drejtat e grave, lidhur me proceset e paqes, në përputhje me Agjendën Gratë, Paqja dhe Siguria.

Këto dhe rekomandime të tjera të dorëzuara në BE synojnë të sigurojnë që barazia gjinore të integrohet në mënyrë kuptimplotë në të gjitha sektorët në Kosovë dhe në procesin e anëtarësimit në BE, duke nxitur reforma gjithëpërfshirëse që i përgjigjen nevojave të grave, burrave, vajzave dhe djemve të ndryshëm. Rekomandimet janë përgatitur së bashku me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Organizatën e Personave me Distrofi Muskulore të Kosovës, Rrjetin e Organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane të Kosovës dhe OJQ-në Vlen të Jetohet.