Gratë në Kosovë po vazhdojnë të mbesin të nënpërfaqësuara në politikë dhe në vendimmarrje në nivel lokal e atë qendror.
Së fundi, kjo mund të vërehet nga fakti se zëra zyrtarë nga partia që pritet të formojë Qeverinë deklaruan publikisht se nga 15 ministri të ekzekutivit, vetëm pesë do të udhëhiqen nga gratë.
Ky përfaqësim i vogël (saktësisht 33% gra në kabinetin qeveritar) bie direkt ndesh me Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj), i cili garanton barazi ndërmjet gjinive (50/50) në institucione, si kusht i zhvillimit të një shoqërie demokratike, ku burrat dhe gratë kanë mundësi krejtësisht të barabarta në sferën politike, publike, si dhe atë institucionale.
Madje, ky nënpërfaqësim në ekzekutiv mund të ndodh pavarësisht se në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 përfaqësimi i grave në Kuvendin e Kosovës është rritur për pesë ulëse, krahasuar me zgjedhjet e kaluara (2019). Për më tepër, edhe kësaj radhe më shumë gra janë zgjedhur pa kuotë se sa që janë zgjedhur falë saj.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka ndjekur me interes të shtuar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grave në zgjedhje ndër vite, e rrjedhimisht edhe përfaqësimin e barabartë gjinor në qeverinë e re, andaj RrGK përmes kësaj letre kërkon nga Qeveria që pritet të formohet që të respektojë në plotni LBGj-në me rastin e emërimit të kabinetit, përkatësisht ministrave dhe zëvendësministrave.
RrGK me punën dhe aktivizmin e bërë që nga themelimi, përpiqet për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, si dhe jetojnë një jetë pa dhunë. Prandaj, në përputhje të plotë me këtë vizion, RrGK përgjatë gjithë mandatit udhëheqës të kësaj qeverie do të kërkojë llogaridhënie publike dhe transparencë të plotë për punën që ndikon në realizimin e këtyre objektivave jetike për mirëqenien e të gjitha grave dhe vajzave në Kosovë.