RrGK kërkon shqiptimin e masës së paraburgimit deri në vendim të gjykatës për të dyshuarit e dhunimit seksual të së miturës

Me shqetësim të madh sot përmes mediave u njoftuam për edhe një rast të dhunimi seksual të një vajze të mitur në Prishtinë.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi ngre zërin që ndaj të dyshuarve për kryerjen e veprës penale “dhunim” në datën 27 gusht të këtij viti në Prishtinë, t’i shqiptohet masa e paraburgimit deri sa te merret një vendim i prerë nga gjykata dhe jo të lirohen pas 48 apo 24 orësh. 

RrGK bën thirrje që të dyshuarit pas vlerësimit të provave të marrin dënimin meritor konform peshës së veprës. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nenit 227, theksohet se “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet… ndërsa në rastet kur viktima është e mitur dënimi duhet të jetë jo më pak se pesë (5) vjet deri në 20 vjet burgim efektiv.”

Madje, RrGK është tejet e shqetësuar që deri tani vetëm dy nga pesë personat e dyshuar për dhunim janë arrestuar nga institucionet kompetente.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura. Dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave dhe çdo lloj tjetër i dhunës ndaj grave dhe vajzave duhet të luftohet nga e gjithë shoqëria dhe çdo ushtrues i dhunës duhet të marrë dënimet meritore nga organet kompetente.

Po ashtu, bëjmë thirrje që gjatë punës me të miturën të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme.

RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juiridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.