Prishtinë, 11 prill 2019 – Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian (BE), Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Institucionin i Avokatit të Popullit lansoi raportin hulumtues për diskriminimin me bazë gjinore dhe punësimin në Kosovë. Përmes kësaj ngjarje, u lansua gjithashtu iniciativa rajonale për trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore dhe punësimin në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëfinancuar nga BE dhe Suedia / Sida dhe të udhëhequr nga RrGK.
“Barazia gjinore është një vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian”, tha Luigi Brusa, Shef i Seksionit të Bashkëpunimit, Zyra e BE-së në Kosovë. “Unë e inkurajoj fuqimisht qeverinë që të adresojë rekomandimet e bëra në këtë raport. Ata duhet të harmonizojnë ligjet me Ligjet e Bashkimit Evropian (Acquis Communautaire), duke përfshirë Ligjin e Barazisë Gjinore. Megjithatë, miratimi i ligjeve është vetëm hapi i parë dhe nuk është i mjaftueshëm,” tha ai. “Qeveria duhet të sigurojë zbatimin në praktikë.”
Duke njohur raportin, Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Zyra e Kryeministrit gjithashtu tha: “Ky hulumtim na sjell në vëmendje shumë çështje të rëndësishme të cilat e afektojnë edhe punën tonë në baza ditore dhe të cilat janë: mbledhja e statistikave të ndara në baza gjinore në mënyrë jo të rregullt dhe me metodologji të paunifikuar i dëmton proceset e zbatimit të ligjit.”
“Përderisa Kushtetuta dhe kuadri ligjor bazohen në standardet më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë vlerat dhe parimet e trajtimit të barabartë midis gjinive, grave dhe vajzave në Kosovë, ato vazhdojnë të jetojnë mes dy realiteteve: ligjore dhe faktike”, tha Edona Hajrullahu, Zëvendëse e Avokatit të Popullit. “Edhe pse e padrejtë, ky realitet faktik, i cili shpesh është paragjykues dhe diskriminues ndaj grave, vazhdon të mbizotërojë mbi të drejtat themelore të dhëna nga Kushtetuta, konventat ndërkombëtare dhe legjislacioni parësor. Prandaj, është detyrë e institucioneve shtetërore të sigurojnë që realiteti faktik të përputhet me atë ligjor, duke mundësuar kështu mundësi të barabarta.”
Gjatë kësaj ngjarje, RrGK prezantoi gjetjet kryesore dhe rekomandimet që rezultojnë nga hulumtimi i cili u zhvillua në vitin 2018, dhe përfshiu metoda të përziera, duke përfshirë shqyrtimin dhe analizën e kuadrit ligjor dhe raporteve të ndryshme, pyetësorin online dhe intervistat. Hulumtimi siguron informata për mangësitë në kuadrin ligjor përkatës; përhapja dhe natyra e diskriminimit gjinor që lidhet me punën; shkalla në të cilën njerëzit kanë paraqitur ankesa; dhe se si institucionet kanë trajtuar raste të tilla.
Gjetjet kryesore, të paraqitura nga dy bashkë-autore të RrGK-së, Nicole Farnsworth dhe Iliriana Banjska, përfshijnë:
• Kuadri ligjor dhe politik lidhur me diskriminimin me bazë gjinore dhe punën në Kosovë duket mjaft i plotë, veçanërisht duke pasur parasysh se shumica e ligjit është hartuar në përputhje me ligjin e BE-së. Megjithatë, disa mbivendosje dhe paqartësi kërkojnë trajtim.
• Shumica e grave dhe burrave të anketuar janë të vetëdijshëm se diskriminimi gjinor është i paligjshëm. Ndërsa disa e dinin se një diskriminim i tillë duhet të raportohet tek punëdhënësit ose Inspektorati i Punës, pëderisa një pakicë kanë ditur për institucionet e tjera që merren me raste të tilla.
• Institucioneve përgjegjëse për trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore në punë u kanë munguar të dhënat për prevalencën e saj. Megjithatë, dëshmitë tregojnë se ekziston diskriminimi gjinor, veçanërisht në punësimin, promovimin, pushimin e lehonisë dhe ngacmimin seksual në punë.
• Shanset për të përjetuar diskriminim me bazë gjinore në punë janë 2.8 herë më të mëdha për gratë sesa për burrat.
• Përderisa policia dhe prokurorët duket se kanë njohuri në përgjithësi për përgjegjësitë e tyre në trajtimin e diskriminimit gjinor në punë, vetëm disa raste të tilla penale janë raportuar, kështu që ata kishin mungesë në përvojë praktike dhe jurisprudencë.
Rekomandimet kryesore përfshijnë:
• Rëndësia e ndryshimit të Ligjit të Punës, Ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të zvogëluar mbivendosjen, qartësimin e procedurave dhe qartësimin e sanksioneve për diskriminimin gjinor;
• Nevoja për të gjitha institucionet relevante për të mbledhur dhe mbajtur të dhëna më të mira të ndara sipas gjinisë së paditësve dhe të pandehurve në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore, si dhe me nenet e caktuara të shkelura;
• Nevoja për më shumë inspektorë të punës, veçanërisht gra, të cilët janë trajnuar për njohjen dhe trajtimin e diskriminimit gjinor në punë;
• Nevoja për bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet institucioneve relevante dhe shoqërisë civile, duke përfshirë sindikatat, në ngritjen e vetëdijes së grave dhe burrave lidhur me atë që përbën diskriminim të bazuar në gjini dhe si ta raportojë atë; dhe përkrahjen e personave që kanë përjetuar një diskriminim të tillë në kërkimin e drejtësisë.
Gjetjet dhe rekomandimet do të informojnë ndër të tjera veprimet e RrGK dhe organizatave të saj partnere në vitet në vijim.
Folësit gjatë ngjarjes së lansimimt, të moderuar nga Kryetarja e Bordit të RrGK, Ariana Qosaj-Mustafa, përfshinë Luigi Brusa, Shef i Sektorit të Bashkëpunimit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë; Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Zyra e Kryeministrit; Edona Hajrullahu, Zëvendëse e Avokatit të Popullit; Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit, Bashkë-autore, RrGK; dhe Iliriana Banjska, Bashkë-autore, RrGK.
Kjo iniciativë është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia / Sida.
Për më shumë informata, ju lutemi na kontaktoni në: info@womensnetwork.org ose +381 (0) 38 245 850