RrGK lanson raportin e vlerësimit për Kosovën: Integrimi i perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 5 dhjetor ka lansuar Raportin e Vlerësimit për Kosovën: Integrimi i Perspektivës Gjinore në Procesin e Anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Marrë parasysh që qeveria e Kosovës dhe BE-ja kanë bërë disa zotime për avancimin e barazisë gjinore si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, duke u bazuar në treguesit zyrtarë të politikave dhe në metodologjinë e përbashkët në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor (BP), ky raport monitoron dhe raporton mbi progresin e bërë në avancimin e barazisë gjinore sa i përket proceseve kyçe që lidhen me anëtarësimin në BE dhe dialogun politik në vitin 2022. Gjetjet dhe rekomandimet e përmbledhura synojnë t’u ofrojnë zyrtarëve të qeverisë dhe BE-së reflektime mbi përmirësimin e përfshirjes së perspektivës gjinore brenda këtyre proceseve.

Të njëjtat, synojnë të informojnë edhe organizatat e shoqërisë civile të grave (OShCG) për një qasje më transformuese gjinore në iniciativat e tyre avokuese në lidhje me procesin e anëtarësimit në BE.

Përgjithësisht, raporti i RrGK-së ka gjetur se qeveria e Kosovës dhe BE-ja kanë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme shkallën në të cilën kanë përfshirë gjininë në procesin e Anëtarësimit në BE, me rreth 31% më shumë në krahasim me vitin 2021. Lidhur me disa nga indikatorët matës, në krahasim me vendet tjera të BP, Kosova ka qasjen më përfshirëse të shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit në BE. Megjithatë, ende ekzistojnë mundësi për përmirësime të tjera.

“Ne e vlerësojmë shumë ushtrimin e llogaridhënies në lidhje me përfshirjen e gjinisë në Raportin e KE për Kosovën të vitit 2023,” komentoi Zyrja e BE-së në Kosovë, në lidhje me publikimin e këtij raporti. “Çdo vit ne vërejmë përmirësim në adresimin e nevojave të grave dhe vajzave, dhe po ashtu e dimë që përpjekjet duhet të zgjerohen në disa fusha të tjera. BE-ja do të vazhdojë të tregohet e përgjegjshme drejt avancimit të barazisë gjinore në të gjitha politikat në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e interesuara.”

Valmira Rashiti, bashkë-autore e këtij raporti dhe Zyrtare për Integrim të Perspektivës Gjinore në RrGK, gjatë lansimit prezantoi disa nga gjetjet në vijim:

  • Ngritjen e përfshirjes së perspektivës gjinore në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022;
  • Mungesën e konsultimit më të përafërt të qeverisë dhe BE-së me OSHCG, mbi prioritetet e tyre;
  • Mungesën e një dialogu të rregullt dhe të strukturuar mes zyrës së BE-së në Kosovë dhe OSHCG-ve, për të diskutuar perspektivat e tyre mbi zhvillimet politike;
  • Nivelin e moderuar të përfshirjes së OSHCG-ve, sidomos të atyre nga niveli lokal, në procesin e dialogut politik dhe strukturave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA-së), me theks në kuadër të Nën-Komiteteve dhe Komiteteve të MSA-së;
  • Nivelin e moderuar të përfshirjes gjinore në takimet e MSA-së dhe mundësitë për ngritje të transparencës qeveritare përmes publikimit të agjendave dhe konkluzioneve të takimeve të MSA-së mes qeverisë dhe BE-së, për të arritur tek gratë dhe burrat e ndryshëm, dhe organizatat e shoqërisë civile; dhe
  • Nivelin e ulët të zbatimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KB) 1325 për Gratë, Sigurinë dhe Paqen, nga BE dhe qeveria e Kosovës.

Nga perspektiva institucionale, Artan Çollaku, Zyra e Koordinimit të Procesit të Stabilizim Asociimit, Zyra e Kryeministrit, tha se: “Nga përvoja e deritanishme në koordinimin e planifikimit dhe monitorimit për integrim në BE që nga hyrja në fuqi e MSA-së, mund të konstatojmë se është përmirësuar bashkëpunimi me shoqërinë civile për integrimin e perspektivës gjinore në kornizën e planifikimit për këtë proces.

Administrata publike e ka kuptuar më mirë rëndësinë dhe relevancën e perspektivës gjinore për këtë proces, dhe janë bërë disa përmirësime në zbatim të disa kapitujve prioritarë të negociatave për anëtarësim, si kapitulli 23 [mbi Drejtësinë dhe Liritë Fundamentale], apo 20 [mbi Ndërmarrësinë dhe Politikat Industriale]”.

RrGK pajtohet me këtë dhe rithekson se Kosova cilësohet si një praktikë pozitive në rajon.

Megjithatë, Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Vetone Veliu nga Shoqata e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut, theksuan nevojën urgjente për përfshirjen e më shumë grave në struktura të dialogut politik, me theks, grave në nivel lokal, duke përfshirë prioritetet dhe sfidat e tyre në agjendat politike.

Rekomandimet kyçe të këtij raporti, janë si në vijim.

Për Qeverinë e Kosovës:

  • Të bëhet konsistente mbledhja dhe publikimi i rregullt i të dhënave të ndara sipas gjinisë, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, për informimin e reformave të procesit të anëtarësimit në BE.
  • Të rimendohet organizimi dhe konsultimi i domosdoshëm me OSHCG-të dhe përfshirja e tyre në struktura të integrimit Evropian. Të prioritizohet marrja dhe konsultimi i kontributeve të tyre lidhur me takimet e strukturave të MSA-së.
  • Të shqyrtohet mundësia e publikimit të agjendave dhe konkluzioneve nga takimet e strukturave të MSA-së.
  • Të konsiderohet përfshirja e ekspertëve të OSHCG-ve në konsultime dhe grupet e punës qysh në fazat e hershme të hartimit të politikave dhe dokumenteve sektoriale (para konsultimeve zyrtare publike) për të garantuar që vëmendja ndaj barazisë gjinore është integruar nga fillimi, si dhe për të shmangur çdo pengesë strukturore ose sistematike që të sigurojmë vëmendje të mjaftueshme ndaj barazisë gjinore në politikat publike.
  • Të synohet përmirësimi i kapaciteteve të zyrtarëve të barazisë gjinore për t’i angazhuar në proceset e hartimit të politikave përmes grupeve punuese, drejt integrimit të perspektivës gjinore në politikat që dalin nga procesi i anëtarësimit në BE.

Për Bashkimin Evropian në Kosovë:

  • Të vazhdohet organizimi i konsultimeve të domosdoshme me OSHCG të ndryshme dhe të integrohet kontributi i tyre në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
  • Të theksohet bashkëpunimi dhe zhvillimi i strategjive me rrjetet e OSHCG-ve për të rritur konsultimet me gra dhe burra të ndryshëm, përfshirë nga niveli lokal, persona me aftësi të kufizuara dhe nga etnitë e ndryshme.
  • Të përmirësohet më tej vëmendja ndaj barazisë gjinore në dialogun politik me Qeverinë e Kosovës, duke përfshirë Agjencinë për Barazi Gjinore dhe mekanizmat e barazisë gjinore në strukturat e dialogut.
  • Të zhvillohen takime të rregullta mes Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit Special të BE-së dhe OSHCG-ve të ndryshme lidhur me çështjet e barazisë gjinore dhe të drejtat e grave, si dhe lidhur me zhvillimet politike në përgjithësi, në pajtim me zotimet e BE-së në kuadër të Rezolutës 1325 dhe Planit të Veprimit Gjinor III.
  • Të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të siguruar përfshirjen e përmirësuar dhe të rregullt të OSHCG-ve të ndryshme në Dialogun Prishtinë-Beograd, duke përfshirë konsulta të rregullta, sipas Rezolutës 1325.
  • Të sigurohet zbatimi dhe monitorimi i Planit të Veprimit Gjinor në nivel vendi, në konsultim të përafërt me OSHCG-të.

Përveç personave të lartpërmendur, pjesëmarrës të tjerë në panel ishin: Monika Gajowy, nga Seksioni për Integrime Evropiane, Politikë, Informim dhe Shtyp, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë; dhe Reyes Charle Cuellar, Këshilltare për Çështjet Gjinore, Përfaqësuese Speciale e Bashkimit Evropian. Ndërkaq Nicole Farnsworth, bashkëautore dhe Drejtuese e Programit të Hulumtimit, e moderoi panelin.

RrGK ka përpiluar këtë përmbledhje të politikave, duke përdorur metodologjinë e zhvilluar nga organizatat partnere të Koalicionit për Avancimin e Barazisë Gjinore përmes Procesit të Anëtarësimit në BE (EQUAPRO) si pjesë e iniciativës sonë të përbashkët “Përforcimi i barazisë gjinore përmes procesit të anëtarësimit në BE” i bashkë-financuar nga Komisioni Evropian dhe Suedia.

Diskutimin e plotë mund ta shihni këtu. Ndërkaq, raportin “Integrimi i perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE” e gjeni këtu.